Një front i gjerë ka dalë në sipërfaqe, të premten, kundër përcaktimit të presidentit Hashim Thaçi që t’i bashkohet homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq, në idenë për t’ia negociuar kufijtë Kosovës. Fronti përfshin opozitën, shumicën e koalicionit qeverisës dhe shoqërinë civile, shkruan sot Koha Ditore.
Më 4 shtator Kuvendi do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme lidhur me angazhimet e presidentit për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Seanca është iniciuar nga opozita dhe është mbështetur nga dy parti në pushtet – AAK-ja e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Nisma e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj. Haradinaj e Limaj janë pjesë e ekipit negociator që përfaqëson Kosovën në dialogun me Serbinë, e të cilit i prin Thaçi dhe është krijuar pa u vendosur për këtë në Kuvend.
Në anën tjetër, një numër i organizatave të shoqërisë civile, nëpërmjet një letre të hapur i ka bërë apel presidentit të heqë dorë nga opsioni që ia prek kufijtë shtetit. Për qëllimin e njëjtë, më 5 shtator, ka paralajmëruar protestë një grup tjetër organizatash e aktivistësh, të rreshtuar në lëvizjen “Protestoj”…