Në komunën e Lipjanit ka nisur ndërtimi i fabrikës së letrës, financuar nga kompania “Frutex” me 1 milion euro, në të cilën do të punësohen vetëm persona me nevoja të veçanta, raporton Ekonomia Online.
Gjatë së mërkurës është vendosur gurthemeli i kësaj fabrike që fillimisht do të punësojë 30 persona.
Pronar i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, tha se kjo fabrikë e ambalazhit nga letra do të punësojë vetëm persona me nevoja të veçanta, pra do të jetë ndërmarrje sociale.
“Ky projekt do të jetë unik për të treguar se si këta persona mund të jenë punëtorë të mirë, menaxherë të mirë, dhe jo barrë për familjet e tyre. Andaj kjo do të ishte mesazh për institucionet që të bëjnë më shumë për punësim të këtyre personave. Projekti do të kushtojë 1 milion euro dhe mjetet do të financohen nga Frutex”.
“Ky projekt pritet të përfundojë brenda 8 vjetëve të ardhshëm. Numri i të punësuarve do të jetë 30 veta për fillim i cili do të rritet në vazhdim. Do të jemi të kujdesshëm në përzgjedhje të punës sepse është parësore shëndeti i tyre. Projekti për ndërtim i përshtatë nevojave dhe standardeve për këta persona”.
Afrim Maliqi, drejtor i “Handikos”, theksoi se kjo fabrikë jo vetëm që do të ndikojë te personat me nevoja të veçanta, por edhe te institucionet t’i përfshijë ata në punësim.
“Jo vetëm pse është person me aftësi të kufizuar të punësohet por të shikojmë pozitat që i përshtaten atyre profileve. Ky është veprimi më i mirë i zotëri Palushit. Gjendja e personave me aftësi të kufizuara është jashtëzakonisht e vështirë prandaj kjo është një nismë që do të përmirësojë jetën e personave me aftësi të kufizuara”.
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti tha se kjo është ditë e veçantë për shkak të natyrës së investimit, raporton EO.
“Përveç që është specifike po ndodh një invazion i investimit të bizneseve. Do ta kenë mbështetjen tonë edhe kompania për të filluar punën dhe urojmë sa më parë të realizohet dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që po ndërtohet për persona me nevoja të veçanta”.