Kjo ndërtesë ishte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në luftën e vitit 1998-1999 dhe ndodhet në Likoc, në zemër të Drenicës. Ka 12 vjet që Fehmi Kadriu nga ky fshat, vullnetarisht e pa pagesë, kujdesët për objektin nga i cili gjatë luftës, u dhanë urdhra për batalione e brigada të UÇK-së në tërë vendin.
“Ky ka një vlerë goxha të madhe. Pas Prekazit legjendar, vjen Likoci historik, sepse këtu kanë qenë njerëzit e QUINT-it evropian, prej Christopher Hill, Holbruke, Petrich e të gjithë ata që na kanë përkrahur e ndihmuar të çlirohemi nga Serbia”, tha veterani Fehmi Kadriu.
Për veteranin e luftës, kujdesi për vendin në të cilin dikur qëndruan diplomatët botërorë e drejtues të luftës, e ndjen si obligim, edhe pse interesimi për investim nga këta të fundit, thotë se është i vogël.
“Bota ta ka njohur si Shtab i UÇK-së, e njerëzit e luftës e kanë harruar, kurse nga këtu i kanë marrë të gjitha, janë frymëzuar, janë krenuar prej Shtabit të Përgjithshëm, por e kanë lënë si anash, njerëzit e luftës e politikës. Shumë jemi të zhgënjyer me ta”, shtoi ai.
Brenda shtabit, përveç disa fotografive të varura të heronjve e dëshmorëve, të sjella vullnetarisht nga familjarët, nuk ka asgjë nga koha e lavdishme e UÇK-së. Madje, as për bunkerin e ndërtuar pranë godinës, nuk ka ndonjë pllakë që do të tregonte arsyen e të qenit aty.
E kjo neglizhencë, bën që të rinjtë si Jeton Ferizi, i lindur në vitin 2002, tre vjet pas çlirimit, ta kenë të vështirë ta imagjinojnë se si fshati i tij, dikur ishte epiqendra e zhvillimeve politike e ushtarake në vend.
“Te Shtabi kanë qëndruar pjesëtarë të UÇK-së”.
Nga videot e para 20 viteve që ka parë në internet, kur në kohë lufte, fshati i tij ishte i stërmbushur me të zhvendosur, Jetoni beson se ka ndryshime.
“Tani ka ecur më përpara. Ka ndryshuar, janë ndërtuar markete, shkolla e re aty poshtë, spitali familjar e disa të tjera”, Jeton Musliu.
Sidoqoftë, ata që e kanë përjetuar luftën dhe mbajnë mend mirë se si ishte Likoci i viteve1998-99, dikur qendra e UÇK-së, thonë se koha për këtë fshat, sikur ka ndaluar.
“Vetëm ky asfalt që ka ardhur. Këtë shtab e mirëmban një person që nuk paguhet as ai, as me pagë mujore, por vetëm nga dëshira, sepse ka qenë pjesëtar i UÇK-së. As s’ka ndryshuar asgjë, as s’ka arritur asgjë dhe askush as nuk e ka kthyer kush shpinën më për këtë shtab apo këtë qendër. Gërmadhat e rrëzuara, të rrënuara e të djegura kanë mbetur”, tha Haki Kadriu, banor i Likocit.
Kështu, Likoci mbetet aty ku ishte dhe ashtu siç ishte, 20 vjet më parë. E në bisedat e banorëve të Drenicës, sa herë që duan të rrëfejnë diçka të rëndësishme për këtë zonë, bisedën natyrshëm e fillojnë me: “…a e di se këtu dikur…”/Euronews.al