Fshati në të cilin u konfirmua rasti i parë me COVID-19 në Kosovë, duket se po e fiton betejën me këtë sëmundje. Në Stubëll të Vitisë, aktualisht është vetëm një rast aktiv me këtë sëmundje, derisa nuk është regjistruar asnjë rast vdekje që nga fillimi i pandemisë.
Më 13 mars të këtij viti, një pjesë e stafit shëndetësor, përfshirë edhe drejtoreshën, e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, ishin futur në karantinë.
Ata kishin pasur kontakt me një 77-vjeçar, i cili kishte ardhur nga Italia, dhe që në mbrëmjen e po asaj nate do të konfirmohej se ishte personi i parë i prekur me koronavirus në vend.
Përveç stafit shëndetësor, u izolua edhe familja e të moshuarit dhe komplet fshati.
E tash kur po bëhen rreth gjashtë muaj që nga konfirmimi i këtij rasti, Stublla duket se po e fiton betejën me këtë sëmundje.
Informacione rreth situatës epidemiologjike atje ka dhënë Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, Vjollca Kadolli.
Ajo i ka thënë Gazetës Express se në këtë fshat janë konfirmuar vetëm 15 raste që nga marsi dhe që aktualisht është vetëm një rast aktiv.
“Janë 15 raste pozitive nga fillimi. Një rast është aktiv, derisa 14 janë të shëruar. Nuk ka asnjë të vdekur. Rasti i fundit është konfirmuar më 12 gusht 2020”, ka thënë Kadolli.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë regjistruar pesë vdekje dhe 117 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit.
Me këto raste, numri i personave të infektuar që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 14 mijë e 27, me gjithsej 556 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
“Numri total i rasteve pozitive është 14.027 raste nga 53.554 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 556 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 131 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 10.431 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.040”, thuhet në njoftimin e fundit të IKSHP’së rreth situatës epidemiologjike në vend.