Jetojnë si në geto! Të “kufizuar”! Edhe të harruar! Nuk mund të shohin përtej tyre e as të komunikojnë. Jo pse jetojnë në ndonjë ishull larg “tokës tjetër” e as në ndonjë bjeshkë të pakapërcyeshme. Janë vetëm 12 kilometra larg kryeqytetit, por ata nuk mund të komunikojnë as me fqinjët përskaj tyre.
Në fshatin Shushicë të Komunës së Graçanicës, banorët shqiptarë nuk mund të thërrasin e as t’i thërret dikush në telefon. Ata e kanë të pamundur komunikimin me “botën tjetër”. Në fakt, afër 360 banorët shqiptarë të këtij fshati as nuk e shohin botën tjetër, pasi nuk kanë as rrjet kabllor (TV) e as transport publik. Ky është fshati pa telefon! Fshati pa lidhje…
Agim Krasniqi po mundohej ta thërriste vëllanë e tij, që gjendet vetëm 30 metra poshtë shtëpisë së tij, në luginën në të djathtë të rrugës së ngushtë të fshatit. Por ishte e pamundur, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Jo këtu është problem me marrë lidhjen me telefon. Prej mas lufte kurrë nuk kemi pas lidhje telefonike të mirë”, nis të rrëfejë Agim Krasniqi.
Ai sikur do që të vërtetojë mungesën e rrjetit të telefonisë mobile këtu. Kështu e kanë çdo ditë. Kështu e kanë pasur përherë!
Komunikimi nëpërmjet kodrave
Edhe pse fshati i tyre nuk është shumë kodrinor, komunikimi duhet të bëhet nëpër kodra, sikur shumë kohë më përpara kur komunikohej prej një kodre në kodrën tjetër me “O hejooo!”. Dallimi i vetëm nga atëherë është se tash ata i përdorin edhe telefonat mobilë, por kodrat i “shfrytëzojnë” për të “arritur valët” që vijnë nga antenat.
“Ose duhet me dalë në ndonjë pozicion ku ka valë, ose nuk mundesh me fol me kurrkënd. Nuk e di ku është shkaku? A është shkaku i antenave që janë afër këtu te shkolla ‘Sveti Sava’ apo nuk ka antenë të 44 (Valës), prej Hajvalie më afër nuk e di që ka. Kështu që ne me shumë vështirësi e marrim lidhjen telefonike… Njëjtë është edhe me Ipko”, tregon Agim Krasniqi.