Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, njofton konsumatorët e fshatit Shkabaj, se duke filluar nga orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme sërish mbetet pa furnizim me ujë të pijshëm.
Por, kësaj radhe thotë se është për arsye tjetër.
Arsyeja e ndërprerjes së furnizimit me ujë të pijshëm, sipas tyre, është rrëshqitja e dheut mbi gypin e ujësjellësit nga një Investitor i cili është duke u marrë me ndërtime të larta të banesave.
“Në këtë rast, investitori në fjalë duhet të jetë i obliguar nga komuna e Prishtinës që të bëjë sanimin e defektit dhe të jetë në shërbim të qytetarëve në mënyrë që sa më shpejtë t’u rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm”, thuhet në njoftim.
Pavarësisht dëmtimeve të tilla, meqë ujësjellësi u ka bërë disa herë thirrje publike investitorëve që të jenë më të kujdesshëm gjatë realizimit të projekteve të tyre ndërtimore, ekipet e ujësjellësit janë në vendin e ngjarjes dhe të përgatitur mirë që të ndihmojnë në sanimin e defektit në fjalë.
Shembja e dheut mbi gypin e ujësjellësit është në rrugën “Gjergj Balsha” në lagjen Arbëria në Prishtinë.