Këshillat e fshatrave Busavatë, Krilevë, Strezoci e Tugjeci të Kamenicës, nëpërmjet një deklarate, kanë paralajmëruar bojkot të zgjedhjeve të tetorit nëse kreu komunal, Qëndron Kastrati, nuk e anulon reformën në arsim.
Këshilli i fshatit Busavatë në një deklaratë vlerëson se subjektet e tjera politike, përveç PSD-së, duhet të ushtrojnë trysni ndaj kryetarit të Komunës me qëllim që reforma të anulohet, shkruan sot Koha Ditore.
Në letrën e tyre ata kanë theksuar se nuk njohin autoritetin e kryetarit të Komunës.
“Pra Busavata, Krileva, Strezoci dhe Tuxheci në tubimet e tyre kanë vendosur që të mos i njohin dhe të mos i respektojnë kompetencat e një kryetari të tillë dhe në mënyrë unanime kanë vendosur bojkotimin e promovimeve politike në këto fshatra me të vetmen arsye të përkrahjes së tyre ndaj vendimeve të Kastratit. Nëse nuk jeni në gjendje të ndryshoni vendimin e Kastratit në të mirë të fëmijëve dhe të ardhmërisë, mos llogaritni fare në votat e këtyre vendbanimeve pasi jemi të zhgënjyer nga votimi i kaluar duke sjellë një pushtet shkatërrues të arsimit shqip në komunën tonë”, thuhet në deklaratën e tyre.
Krerët e fshatrave kanë bërë të ditur se nuk do të pranojnë mbylljen e shkollave, të cilat funksionojnë në vendbanimet e tyre dhe se do të vazhdojnë kundërshtimin e tyre deri në anulimin e iniciativës.