Me probleme të pronave është duke u ballafaquar edhe Zade Aliu.
Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, rasti i saj dallon nga të tjerat.
Ajo po pretendon se motra e saj e ndjerë Hazbije Isa para se të vdiste me shkrim e kishte lënë një testament ku thuhet se banesën që ishte pronë e saj pas vdekjes do ua linte dy vajzave të saja të mitura. Sipas Zade Aliut, pas vdekjes së motrës ish dhëndri Nesret Isa, e kishte fshehur testamentin e shkruar me dorë dhe e kishte bartur banesën në emrin e tij.
“Ne kemi katër motra, në 2005-ën i kemi blerë dy banesa. Dhe në 2010-ën motra Hazbije Aliu, ka pas një sëmundje të rëndë dhe ka vdekur, pjesën tonë që e kemi pas në banesë ne ia kemi falur motrës. Ajo para vdekjes e la një testament për dy vajzat e mitura që i ka lënë. Në testament e ka lënë banesën dy vajzave të veta dhe jemi dëshmitarë gjithë familjarët aty përfshirë edhe ish dhëndrin Nesret Isa. Por, pas kësaj dhëndri e ka bartur banesën në emrin e tij e jo ashtu siç shkruan në testament. Ai e ka fshehur testamentin që ka lënë motra jonë ndjerë”, ka rrëfyer Zade Aliu.