Ndërprerja e të gjitha aktiviteteve të futbollit, pas dhunës në stadiumin e Kamzës, ka bërë Federatën Shqiptare të Futbollit të modifikojë edhe kalendarin nga muaji mars deri në fundin e sezonit.
Kështu, praktikisht do të shtyhet me disa ditë epilogu i të gjitha garave dhe trofeu i fundit do të caktohet në ditët e para të qershorit.
Sektori i garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka bërë disa modifikime të kalendarit të Kategorisë Superiore dhe Kupës së Shqipërisë, pas një jave ndërprerjeje të aktivitetit, përcjell TCh.
Ndeshjet e kthimit të turit të çerekfinales së Kupës së Shqipërisë do të zhvillohen në datën 3 prill, ndërsa ato gjysmëfinale më 24 prill dhe 8 maj.
Java e 36 e Kategorisë Superiore, e planifikuar për më 25 maj, do të zhvendoset për 29 maj.
Finalja e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2018-2019 do të zhvillohet ditën e diel, më 2 qershor, një ndeshje që ul edhe siparin e sezonit.