Shoqata “Miqtë e Amerikës”, në bashkëpunim me FSK-në, mbajtën disa aktivitete për nder të 4 Korrikut, 242-vjetorit të Pavarësisë së ShBA-së.
Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, tha se qëllimi i këtij organizimi është të dërgohen mesazhe njerëzore e politike që populli i Kosovës është falënderues ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Po e vazhdojmë një traditë që e kemi filluar shumë moti me Forcat e Sigurisë së Kosovës. Qëllimi i këtij organizimi është që me dërgu mesazhe politike, së pari njerëzore, qe ne populli i Kosovës jemi falënderues edhe e dimë që, pa anashkaluar rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, institucioneve të paraluftës, presidentit Rugova, mirëpo pa ndihmën e ShBA-së ne nuk do të mund ta arrinim këtë liri që e kemi sot”.
“Derisa jeni ju duke festu, një popull në Kosovë po e feston festën e juaj ashtu si festën tonë”.
James Grimaldi, mysafir ushtarak nga Iowa, falënderoi për ceremoninë dhe nderimin e pavarësisë së shtetit të tij.
“Kjo do të thotë shumë për mua dhe vendin tim. Amerika ka shpallur pavarësinë e saj para shumë kohësh dhe është me rëndësi për mua që të vij në një shtet që së fundi ka shpallur pavarësinë”.
Grimaldi tha se Kosova ka kaluar mjaft sfida, por ka ende dhe Amerika do ta ndihmojë në çdo hap të rrugës si mike.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe kori i grave “Nexhmije Pagarusha”, i cili këndoi dy këngë.
Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, për shkëputjen nga Britania e Madhe.
Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA-ve është ndoshta dokumenti politik me më rëndësi në botë që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetesën dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.