Me rastin e “Ditës së Forcës”, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë organizuar “Ditën e hapur’’.
Kazermën “Adem Jashari” e kanë vizituar udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në vendin tonë.
Në këtë kazermë, por edhe në kazermat e tjera të FSK-së, qytetarët kanë pasur mundësi të shohin nga afër demonstrimin e aftësive dhe të kapaciteteve ushtarake të FSK-së të shoqëruara edhe me aktivitete tjera.
Rrustem Hoti në “Ditës së Forcës”, ka thënë se FSK-ja ka nevojë edhe për më shumë ushtarë, duke theksuar se në atë mënyrë forcohet edhe shteti.
“Kemi nevojë ende për ushtarë. Edhe sa më i madh numri aq më mirë. Vetëm për këtë kemi ardhur. Duhet edhe shumë forca të ushtrisë po ishalla forcohet ky shtet. Për momentin kemi pak ushtarë”.
E Blendi Zogaj me rastin e festës së 28 Nëntorit ka sjellë një punim dore me flamur.
Ai ndihet shumë i lumtur që punimi i tij është pranuar nga FSK-ja.
“Është një shumë e veçantë për mu që jam në mesin e ushtarëve dhe e kam sjellë një projekt timin. Është shumë rast i veçantë dhe kam pasur shumë dëshirë me ardh këtu dhe me sjellë flamurin kuq e zi që na tregon punën e ushtarëve tanë”.
Ndërsa, rreshteri i FSK-së, Mërgim Morina, theksoi se është një datë e madhe për FSK-në sepse është Dita e Forcës për gjithë shqiptarët.
“Është një datë e madhe për FSK-në sepse është dita e forcës e cila e feston dhe është festë e madhe për gjithë shqiptarët 28 Nëntori. Ne shërbejmë këtu dhe forcën kemi qef me pa lart e më lart. Ende kapacitet e FSK nuk janë plotësuar dhe ka nevojë edhe për shumë ushtarë të rinj”.