Federata e Sindikatave të Pavarura të “Elektrokosovës” ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme, në të cilën është diskutuar për trajtimin e punëtorëve pas privatizimit të Elektrokosovës.
Kryetari i FSPE-së, Hysni Gashi tha se që nga privatizimi i Elektrokosovës trajtimi i punëtorëve ka qenë shumë i rëndë.
“Ne meqenëse jemi me KEDS-in, kemi pushim po festë nuk kemi. Kjo për faktin se trajtimi i punëtorëve që nga privatizimi është shumë i rëndë. Në shtator të vitit 2009 është lëshuar një vendim nga kryeministri i atëhershëm ku kërkohet shthurja e KEK-ut, u bënë shumë biseda e konsultime ku ndër to kemi informatën se qeveria fton sindikatën dhe e njofton për privatizimin”.
“Ne s’kemi qenë kundër privatizimit, por duhet të dihet se çfarë privatizimi duhet të bëhet. Kanë thënë që kjo po bëhet për ta ndaluar humbjen dhe rritjen e inkasimit, por asnjëra nga to nuk është bërë”.
Ai tha se si pasojë e privatizimit u larguan një numër i madh i punëtorëve, ndërkaq ata që mbeten në punë nuk po trajtohen siç e meritojnë, raporton Ekonomia Online.
“Në vendimet që janë marrë për privatizim thuhet se punëtorët do të trajtohen në bazë të ligjit edhe më mirë se në KEK, por menjëherë një vit pas privatizimit, filloi diskriminimi i punëtorëve duke i larguar nga puna e duke iu ofruar punë që s’janë për ta”.
“Më vonë instituam në marrëveshjen kolektive dhe KEDS asnjëherë nuk e ka zbatuar. Si pasojë e moszbatimit të kësaj marrëveshjeje shkuan nga puna 74 punëtorë. Më vonë u larguan edhe 90 punëtorë, të cilët ishin me kontrata të përhershme”, tha ai.
Ai përmendi edhe disa nga punëtorët që kanë ardhur aty sipas ndikimit politik e pa konkurs, si dhe paralajmëroi protesta dhe grevë nëse nuk realizohen kërkesat e tyre, raporton EO.
“Sipas ndikimeve politike kanë ardhur në punë pa konkurs vajza e kryeprokurorit të Pejës, asistentja e Blerand Stavilecit. Tjetër është edhe motra e këshilltarit të presidentit, të cilën e kanë larguar një herë se me siguri nuk e kanë ditë që është motra e këshilltarit të presidentit dhe e kanë kthyer prapë. Unë nuk jam që ajo të largohet, në fakt ajo s’është dashur të largohet fare”.
“Nëse nuk përmbushen kërkesat tona, atëherë unë do të ftoj punëtorët që të mbajmë protesta e edhe grevë”, tha ai.
Nënkryetar i FSPE-së, Fehmi Pajaziti, tha se pas privatizimit punëtorët nuk janë trajtuar ashtu siç e meritojnë.
“Me vendimin e kryeministrit të atëhershëm për shthurjen e KEK-ut erdh edhe deri te privatizimi. 2200 jemi punëtorë pas privatizimit, kanë ardhur edhe gjenerata të reja. Unë nuk jam që ata të mos vijnë, por kur një punëtor paguhet me një pagë minimale prej 170 euro, kjo është tmerr”.
“Ju bëj thirrje institucioneve kompetente që të bëjnë kujdes që ta menaxhojnë dhe ta kontrollojnë ashtu siç duhet”, tha ai.