Jokushtetuese po cilësohet ftesa e presidentit, Hashim Thaçi, për të mbledhur në një takim konsultativ partitë politike që do të jenë pjesë e Kuvendit.
Shoqëria civile e vlerëson të panevojshëm takimin dhe thotë ai po bëhet për të blerë kohë për koalicionin PAN. Por, ky takim i paralajmëruar të mbahet më 24 korrik, nuk parashihet me Kushtetutën e Kosovës.
Neni 66 i saj tregon për mënyrën e zgjedhjes dhe mandatin e Kuvendit, në pikën 3 e përcakton qartë rolin e presidentit, e që është thirrja e seancës së parë të Kuvendit.
AAK-ja ka konfirmuar ftesën, ndërsa LDK-ja dhe VV-ja nuk janë deklaruar ende, raporton KTV.
Ndryshe Presidenti Hashim Thaçi, është takuar në një kafiteri në Prishtinë me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, si dhe me kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtaku.
Në takim ka marrë pjesë edhe Rrahim Pacolli. Ky i fundit ka thënë se janë takuar rastësisht dhe se ka qenë një kafe e rastësishme dhe private.