Letra emocionuese e Cikalleshit pasi u tërhoq nga kombëtarja: Fundi i një rrugëtimi

Prishtinë | 28 Maj 2024 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Pasi nuk figuroi në listën e trajnerit Sylvinho për “EURO 2024”, Sokol Cikalleshi ka marrë një vendim të dhimbshëm për të.

Sulmuesi veteran ka njoftuar për tërheqjen e tij nga kombëtarja shqiptare.

Përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, sulmuesi 33-vjeçar ka bërë me dije se nuk do të jetë më pjesë e Shqipërisë, duke u shprehur krenar që e përfaqësoi shtetin shqiptar në nivelet më të larta të futbollit.

“Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkrueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit. Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë, është sa privilegj, aq edhe një përgjegjësi, cila më ka bërë të përunjur dhe mirënjohës ndaj çdokujt. Ndihem i lumtur përgjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme”, shkroi ai në “Instagram”.

Sokol Cikalleshi ka 59 paraqitje me fanellën e Shqipërisë, derisa në 13 raste ka gjetur edhe rrugën e golit.

Aktualisht, Cikalleshi është pjesë e Konyaspor në Turqi, ku ka shënuar 12 gola e ka dhuruar 5 asistime në të gjitha garat. 

Të ngjashme