Vepra “Funny dialogue” e kompozitorit shqiptar Artan Hasani – që e ka marrë titullin pikërisht për shkak se jetësohet në formën e një dialogu muzikor midis klarinetistësh – do të interpretohet në Belgjikë.
E shkruar enkas për klarinetisten me nam, Barbara Borowicz, do ta ketë premierën botërore në “Clarinet Fest 2018”. Borowitczit në interpretim do t’i bashkohet edhe okteti i Akademisë së Krakowës së Polonisë.
“Clarinet Fest” hapet sot në Ostend të Belgjikës dhe zgjat deri më 11 të këtij muaji. Vepra e Hasanit do të interpretohet në ditën e parafundit të festivalit.
Borowicz është laureate e mbi 20 çmimeve në gara kombëtare e ndërkombëtare në Poloni, Luksemburg, Itali, Slloveni, Lituani, Ukrainë e vende të tjera. Si soliste dhe muzikante kamertale, ka interpretuar në vende të ndryshme në pesë kontinente. Debutimin si soliste e ka bërë me filarmoninë “Opole Philarmonic”.
Kompozitori Artan Hasani ka rrëfyer sesi ka rënë në kontakt me klarinetisten polake me nam botëror.
Stili i kompozimit të Hasanit i kishte pëlqyer Borowiczit, dhe kësisoj atij i është dhënë mundësia ta shkruajë një vepër enkas për të.
Hasani, i cili u lind më 1981 në Prishtinë, ka prejardhje nga Maqedonia (Kërçova). Shkollimin muzikor (Shkollën e Ulët, të Mesme dhe Akademinë e Muzikës i ka përfunduar në Prishtinë. Masterin për produksion muzikor e kreu në Akademinë e Arteve Audio – Vizuale ESRA (Shkup – Paris – New York). Nëntë vjet ka punuar si profesor në shkollën e mesme të muzikës “Çesk Zadeja” në Ferizaj dhe pesë vjet në Prishtinë, në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova”, ku ende vazhdon të punojë.