Fuqitë perëndimore e kanë pritur me shqetësim të lartë njoftimin e Iranit se do të fillojë me pasurimin e uraniumit deri në 60 për qind të pastërtisë.
Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania janë palë në një marrëveshje bërthamore me Iranin, e cila ishte arritur në vitin 2015, por nga e cila tre vjet më vonë janë tërhequr Shtetet e Bashkuara.
Edhe Rusia dhe Kina janë pjesë e marrëveshjes.
“Njoftimi i rrezikshëm i Iranit është në kundërshtim me frymën konstruktive dhe mirëbesimin e përpjekjeve të vazhdueshme për të ringjallur marrëveshjen e vitit 2015”, thanë tri vendet perëndimore, përmes një deklarate të përbashkët.
Javën e kaluar në Vjenë, Irani dhe fuqitë botërore zhvilluan ato që ata i përshkruan si bisedime “konstruktive”, në përpjekje për të rikthyer Uashingtonit dhe Teheranit që ta zbatojnë marrëveshjen bërthamore, të njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).
Bisedimet në Vjenë të Austrisë pritet të vazhdojnë më 15 prill.
Një zonë e pasurimit të uraniumit në Qom.
Pavarësisht nga nismat diplomatike, Irani tha më 14 prill se do të fillojë prodhimin e uraniumit të pasuruar me pastërti 60 për qind deri në javën e ardhshme. Njoftimi pasoi një sulm të pretenduar në uzinën kryesore bërthamore në Natanz. Teherani ka fajësuar Izraelin për sulmin.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se mbetet e përkushtuar në bisedimet me Iranin.
Sipas marrëveshjes bërthamore Irani ishte zotuar të mbante pasurimin e uraniumit në 3.67 për qind.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja pati thënë se ajo ishte e negociuar keq dhe se i mundësonte Teheranit të posedojë armë bërthamore. Trump vendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit.
Tash, për të nisur zbatimin e marrëveshjes, Teherani kërkon që fillimisht të hiqen këto sanksione nga ana e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden.
Kohët e fundit Teherani ka pasuruar uraniumin deri në 20 për qind.
Një imazh satelitor tregon një pamje nga afër të objektit bërthamor Natanz në Iran, 29 qershor 2020.
Pasurimi i uraniumit në 60 për qind do të ishte niveli më i lartë i arritur nga programi bërthamor i Iranit, megjithëse ende nuk ka pastërtinë prej 90 për qind të nevojshme për përdorim ushtarak.
Teherani ka mohuar vazhdimisht se po synon të posedojë armë bërthamore duke thënë se ambiciet e tij bërthamore janë thjesht civile.
Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania thanë se vendimi i Teheranit përbënte një hap të rëndësishëm në prodhimin e një arme bërthamore.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 është kundërshtuar prej kohësh nga Izraeli.
“Ne nuk duhet t’i kthehemi marrëveshjes së rrezikshme bërthamore me Iranin, sepse një Iran bërthamor është një kërcënim ekzistencial për shtetin e Izraelit dhe një kërcënim i madh për sigurinë e të gjithë botës”, ka thënë më herët, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.