Fuqizimi i gruas forcon institucionet shtetërore

Prishtinë | 15 Mar 2017 | 12:06 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi i Grave deputete të Kuvendit të Kosovës, në mbështetje nga UNDP-ja, ka mbajtur një takim me mbi 100 asambleiste nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilin u diskutua për buxhetimin gjinor.

E para që iu drejtua grave deputete dhe asambleisteve nga komuna të ndryshme ishte Blerta Deliu-Kodra, kryesuese e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës.

Ajo tha se ligjet e shumta, rekomandimet dhe rezolutat e Kuvendit krijojnë bazament të mirë për fuqizimin e gruas, raporton Ekonomia Online.

“Kushtetuta e Kosovës në nenin 7.2 siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë. Po ashtu ligjet e shumta, rekomandimet e Kuvendit të Kosovës si dhe rezoluta e Kuvendit mbi parimet e Prishtinës miratuar në vitin 2012 për fuqizim ekonomik krijon një bazament të mirë për përfshirjen e gruas në vendimmarrje. Po ashtu vlen të theksohet se në vitin 2015 Kuvendi ka miratuar ligjin e ri për barazi gjinore i cili parasheh 50 me 50 përfaqësim të gruas në institucionet e Kosovës . Megjithatë raportet thonë se ky ligj nuk po gjen zbatim as në institucionet qendrore e aq më pak në ato lokale”, ka thënë ajo.

“Në numër total të shërbyesve civil 41 për qind llogaritet të jenë gra dhe shqetësuese në këtë përqindje mbetet gjithashtu pozita drejtuese që janë vetëm 5.2 për qind të pozitave drejtuese të cilat udhëhiqen nga gratë. Janë 23 komuna të cilat kanë drejtore dhe unë sot po ashtu dua të përmend Komunën e Drenasit si komuna e parë e cila ka siguruar një përfaqësim në pesë drejtori të cilat udhëhiqen nga gratë. Përderisa kemi pak drejtori të udhëhequra nga gratë, kemi vetëm një kryetare komune grua atëherë nuk do të ketë as trajtim adekuat të çështjeve që lidhen me mirëqenien e gruas dhe familjes, po ashtu do të kemi nivel të lartë të korrupsionit dhe të papërgjegjësisë”, ka pohuar ajo.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli theksoi se Kosova ka nevojë për përfaqësim të shumtë të grave në institucione.

“Fuqizimi i grave është proces nga i cili varen të gjitha proceset tjera vitale të shtetit, në radhë të parë zhvillimi ekonomik, edukimi i të rinjve dhe demokratizimi i shoqërisë në përgjithësi. Është një parim i njohur se nuk ka shoqëri të emancipuar pa emancipimin e grave, por që të arrihet ky emancipim na duhen politika të qarta dhe të vendosura që stimulojnë gjithpërfshirjen e grave në jetën publike, në politikë, ekonomi dhe sisteme të edukimit”, tha Veseli.

Sipas Veselit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një mori ligjesh, por të cilat po hasin në vështirësi.

“Kjo neglizhencë vjen nga praktikat e shoqërisë sonë, nuk kemi politika të cilat stimulojnë ndërmarrësinë e grave”, ka pohuar ai.

“Barazia gjinore është interes nacional dhe strategjik i shoqërisë sonë që aspiron zhvillimin dhe ecjen përpara në proceset evro-atlantike. Kur e them këtë, kam parasysh faktin se nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm e real, nëse gjysma e popullatës nuk është e përfshirë në jetën publike dhe ekonomike të shoqërisë”, tha Veseli.

Sipas tij është koha për veprime të drejtpërdrejta dhe konkrete. Ai ka sugjeruar gratë duke u thënë që mos mbështeteni vetëm të burrat duke kërkuar nga asambleistet që të jenë më të zëshme.

Alessandra Roccassalvo, zëvendëse e përfaqësuesit të përhershëm të UNDP në Kosovë tha se sfidat e barazisë gjinore janë sfida të shoqërisë.

“Kosova në ditët e sotme në rajon ka më së shumti gra anëtare të Parlementit po ashtu kemi pasur edhe presidenten, kemi gra afariste. Ka shumë gra që fitojnë çmime për inovacion. Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm ku ka caktuar përfaqësimin 50 me 50 por pa i zbatuar ligjet kjo nuk mund të implementohet” ka thënë ajo.

Ardita Sinani kryetare e Komunës së Preshevës ka thënë se sot mes nesh shohim një numër të denjë të përfaqësimit të grave për të vazhduar luftën për të drejtat tona.

“Femra çdo herë është rreshtuar përballë sfidave. Duhet të jemi aktive dhe zë i fuqishëm në vendimmarrje. Të mos tërhiqemi para pengesave. Realizimi i plote i buxhetimit gjinor është fitorja e radhës. Ky realizim do të promovojë pozitën e femrës” ka thënë ajo.

Sipas saj bashkëpunimi mes Komunës së Preshevës dhe grave deputete të Kosovës është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm.

Ky takim është planifikuar të ofrojë fokus të ri në aspektet e buxhetimit gjinor dhe të paraqesë përpjekje të re në forcimin e mëtejmë të kapaciteteve të gruas në politikë, për të adresuar në mënyrë të përbashkët çështjet e buxhetimit gjinor dhe për promovimin e barazisë gjinore brenda kontekstit dhe rrethanave aktuale në Kosovë.

 

Të ngjashme