Fuqizimi i grave në biznes, i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit

Prishtinë | 04 Maj 2018 | 10:53 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dhoma Ekonomike e Grave te Kosovës-G7 ka organizuar ngjarjen “Gratë Ndërmarrëse të Rajonit – Takimet B2B”. Pjesmarrëse ishin rreth 140 gra ndërmarrëse nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Turqia.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj tha se punësimi i grave mbetet sfidë, mirëpo si e tillë duhet të adresohet bashkarisht, raporton Ekonomia Online.

“Nuk do mend që gratë janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë në vend dhe aty ku janë gratë e fuqishme ka zhvillim më të mirë të jetës, prandaj në këtë drejtim është e rëndësishme të kemi ngritje më të madhe profesionale për gratë”.

“Mendoj që prezenca e grave në biznes edhe më tutje mbetet një sfidë që duhet ta adresojmë së bashku. Ka bazë ligjore e cila krijon mundësi të barazisë së plotë, flas për ligjin e punës, për shërbim civil, ligjin për barazi gjinore, por ajo çka është e rëndësishme është që gratë të marrin guximin dhe të hyjnë në ujërat jo shumë të lehta të punës”, tha ai.

Ai tha se një nga qëllimet e Ministrisë është përkrahja dhe fuqizimi i grave në biznes.

“Një nga synimet që ka Ministria jonë është punësimi i grave. Ne do të kemi programe, dhe një pjesë të mirë të buxhetit do ta orientojmë në përkrahjen e gruas në ekonomi. Kosova ka shumë raste të suksesshme të grave në biznes”, tha ai.

Lindita Kastrati nga G7 tha se qëllimi i kësaj ngjarjeje është të promovojë dhe të nxisë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.

“Bizneset e drejtuara nga gratë si në Kosovë e po ashtu në rajon në përgjithësi janë të vogla, kryesisht të përfaqësuar në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë si dhe më me pak gjasë të veprojnë në sektor me vlerë të shtuar dhe potencial të rritjes”.

“Ky kryesisht ndërlidhet me vështirësitë që hasin gratë në marrjen e kredive, qasjet në tregjet potenciale. Për të mënjanuar disa nga pengesat me të cilat gratë ndërmarrëse përfaqësohen, ky event ofron mundësi për shtrirje të bashkëpunimit rajonal, mundësi për të identifikuar partnerë potencialë dhe mundësi për t’u qasur në tregje të reja”, tha ajo.

Peter Verheyen, zëvendësshef i misionit në Ambasadën Holandeze në Prshtinë, tha se roli i grave në biznes është i vlerësuar në botë, raporton EO.

“Jemi mbledhur me një qëllim që të rrisim biznesin tuaj që ndihmon edhe zhvillimin e vendit. Në Kosovë në bazë të të dhënave zyrtare gratë kanë 50% të kompanive të regjistruara. Fuqizimi ekonomik të grave është ndër pikat kryesore të zhvillimit ekonomik. Gjithashtu i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi regjional”, tha ai.

Besian Demiri, menaxher në Bankën TEB, tha se duhet të thehen barrierat dhe paragjykimet që ekzistojnë te gratë në biznes.

“Në shoqërinë tonë, gratë në biznes kanë pasur nevojë për një shtytje për t’i kaluar barrierat. Kjo pjesë është shumë e rëndësishme pasi ky model i then paragjykimet dhe krijohet model për të rinjtë”, tha ai.

Të ngjashme