Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe organizata jo-qeveritare INPO kanë mbajtur konferencë për medie, në të cilën kanë publikuar raportin e monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik “E drejta për ujë, peng i prokurimit”, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha e INPO-së, Albulena Nrecaj, tha se furnizimi me ujë të pijshëm vazhdon të mbetet një ndër problemet kryesore me të cilat po ballafaqohen banorët e 15 fshatrave të komunës së Dragashit.
“Problemin me ujin e pijes nuk po mund ta zgjidhin për afro 5 vjet për shkak të tenderit maratonik, i cili ka mbetur pa epilog, si rezultat i lojës së ‘ping-pongut’ me tender që po luhet në mes të komunës së Dragashit”, u shpreh ajo.
“Tenderi i titulluar ‘Ujësjellës Kryesor-Vazhdim i Punimeve’ i shpallur më 16 qershor, 2017 vazhdon të mbetet peng i prokurimit duke lënë pa ujë banorët e 15 fshatrave të kësaj komune”.
“Investimet për ujësjellësin e komunës së Dragashit kanë filluar që nga viti 2011, ndërsa për këtë projekt janë investuar mbi 700 000 euro. INPO dhe IKD ka monitoruar dhe ka hulumtuar këtë tender dhe ka gjetur shkelje të ndërsjella të akterëve të cilët furnizojnë me ujë të pijshëm për 15 fshatra, të cilët e kanë shndërruar në loje ping-pongu”.
“Tutje, INPO gjen se vendimet e OShPS-së dhe vendimet e komunës së Dragashit pas proceseve të rivlerësimit nuk kanë arritur t’i japin epilog këtij tenderi për ujësjellës”, raporton EO.
Sipas Nrecajt, 8 vendimet e nxjerra dhe një urdhëresë nga OShP-ja nuk kanë arritur të zgjidhin nyjën e prokurimit për ujë.
“INPO vlerëson se KRPP ka bërë shkelje të autorizimeve ligjore dhe nuk ka kryer obligimet dhe detyrat e saj me profesionalizëm. Saga e këtij projekti kishte nisur në vitin 2016”, tha Ndrecaj.
“Shkeljet ligjore për këtë tender janë se Komuna ka bërë shkelje të nenit 69 ku kishte vendosur vlerën e kontratave si dëshmi për punë të kryera në mënyrë joprofesionale, pasi vlerën prej 495 mijë euro që e ka vendosur Komuna ka qenë fikse dhe nuk e ka rrumbullakësuar”.
“Komuna nuk ka zbatuar as edhe 9 vendime të tjera. Tutje, komuna ka dështuar të zbatojë ligjet e prokurimit publik dhe duke mos përmbushur obligimet efikase për qytetarë”, u shpreh ajo.
Ndrecaj fajësoi edhe Komisionin Rregullativ për mungesën e monitorimit të tenderit.
Ndërsa Mirvet Thaçi, përfaqësue i IKD-së, tha se kjo çështje ka kaluar në organet e drejtësisë.
“Lufta për tender ka kaluar në organet e drejtësisë, njëra për hetime penale dhe përmes padisë”.
“Ka qenë operatori ekonomik që ka dorëzuar dy kallëzime penale ku pretendohet se zyrtarët e komunës kanë keqpërdorur këtë tender”.
“Prokurori Piraj kishte komunikuar me hetuesin për vlerësimin e pretendimeve për kallëzim penal dhe do ta trajtojë urgjentisht këtë kallëzim penal”.
“Qëllimi i OShP-së ka qenë të eliminohen tre operatorë ekonomik”, u shpreh Thaçi.
Sipas Thaçit, kryetari i komunës së Dragashit si dhe zyrtarët komunalë duhet të mbajnë përgjegjësi, ndërsa KRPP-ja ta shtojë numrin e monitorimeve të prokurimit.
“KRPP duhet të rrisë numrin e monitorimeve të prokurimit”.
“Prokuroria themelore në Prizren në përputhje me obligimet ligjore duhet ta trajtojë këtë lëndë me prioritet”.