Kampioni i botës në peshën e rëndë, Tyson Fury, ka thënë se nuk do të boksojë me amerikanin Deontay Wilder këtë vit. Ai thotë se planifikon ta zhvillojë një meç në Britani në dhjetor.
Fury 32-vjeçar fitoi titullin e botës në versionin WBC në peshën e rëndë në boks, duke e mposhtur me ndërprerje amerikanin Deontay Wilder. Meçi i parë mes tyre në vitin 2018 kishte përfunduar baras. Në kontratë ekziston klauzola edhe për një përballje të tretë mes tyre. Mirëpo, Fury thotë se kjo përballje nuk do të ndodhë këtë vit.
Fillimisht ishte paraparë përballja të mbahej në korrik dhe më vonë në tetor, por ka dështuar shkaku i pandemisë.
“Unë u pajtova për datën 19 dhjetor. Më pas tentuam të ndryshonin sërish datën për vitin tjetër. Kam stërvitur dhe jam i gatshëm. Kur tentuan të lëviznin datën për vitin tjetër, unë thashë mjaft më. Dhe eca tutje”, ka thënë Fury për “The Athletic”.
Wilder po shpreson të gjendet një marrëveshje për meçin e tretë. Fury ndërkohë po pret të boksojë në Britani më 5 dhjetor.
Nëse i plotësohet kjo dëshirë, atëherë meçi do të jetë një javë para duelit mes Anthony Joshuas e bullgarit Kubrat Pulev, që do të jetë i vlefshëm për titujt IBF, WBA dhe WBO.
Promotori i Furyt, Bob Arum, pret që meçi mes Furyt e Joshuas të mbahet në pranverën e vitit 2021.
“Unë jam boksieri më i mirë në botë. Në fund të vitit 2021, do të jem i vetmi me tituj bote në peshën e rëndë”, ka deklaruar Fury.