Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a. (KRUP) njofton konsumatorët e qytetit të Fushë Kosovës se gjatë ditës së sotme filloi ekzekutimi i punimeve në vendosjen e tubit i cili shumë shpejtë do t’i furnizojë me ujë të pijshëm 24 h pa ndërprerë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Kryeshefi ekzekutiv Ilir Abdullahu, zëvendëskryeshefi Kujtim Xhelili dhe shefi i njësisë operative të Fushë Kosovës, Remzi Llumnica, vizituan për së afërmi punimet që po zhvillohen atje.
Abdullahu tha se, ndjehet i gëzuar që më në fund edhe konsumatorët e Fushë Kosovës do të kenë ujë të pijshëm pa ndërprerë dhe nga ata pret që në të ardhmen të bëjnë pagesa të rregullta për shërbimet e ofruara dhe shpenzim racional të ujit të pijshëm.
“Tubi është me diametër fi 630 mm dhe me një gjatësi prej 2.2. km, ku uji fillestar do të merret nga fabrika e trajtimit të ujit në ‘Shkabaj’”, thuhet në komunikatë.
Punëkryesi i këtij projekti është kompania kosovare “Alfa i” që përgjatë një muaji ka bërë të gjitha ndërhyrjet e nevojshme teknike në rezervuarin e Shkabajve, ndërsa sot ka filluar me vendosjen e tubave.
“Kostoja financiare e këtij projekti ka vlerën 378 mijë eurove. Projekti pritet të përfundojë në fund të muajit prill 2019. Ua kujtojmë se një pjesë e qytetit të Fushë Kosovës deri më tash, nuk janë furnizuar me ujë të pijshëm 24 h pa ndërprerë”, thuhet në komunikatë.