Banorët e disa pjesëve të Komunës së Fushë-Kosovës vazhdojnë të përballen me reduktime të ujit të pijshëm.
Fshati Bresje, rreth stacionit të trenit deri te shkolla “Mihal Grameno” nuk kanë ujë të pijshëm. Në mungesë të ujit nga KRU “Prishtina”, banorët duhet të përdorin burime alternative. E komunarët e Fushë-Kosovës thonë se kjo çështje i përket ujësjellësit, shkruan sot Koha Ditore.
“Problemi me ujë të pijshëm është më se i njohur për qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës dhe institucionet përkatëse të Kosovës. Qytetarët përdorin burimet alternative. Ne kemi bërë disa shpime në vende të caktuara derisa një pjesë furnizohet edhe nga fabrika në Kuzmin”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli.
I pyetur për projektin që lidh këtë komunë me Fabrikën e Ujit në Shkabaj, Topalli ka thënë se kjo nuk është në kompetencë të tyre.