Fushë Kosovë: Merret me forcë në veturë një person e pastaj i merren gjëra personale

Prishtinë | 30 Jan 2024 | 13:24 | Nga Ekonomia Online

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje në qytetin e Fushë Kosovës. Atje disa persona të panjohur e kanë marrë me forcë një person në veturë e më pas i kanë vjedhur gjëra personale. Ai më pas u has nga patrulla policore në rrugë, teksa të dyshuarit nuk u gjetën përveç njërit.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë konfirmuar për Express se i njëjti është ndaluar për veprën penale “Grabitja”.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj deklaroi se Prokuroria së bashku me policinë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për rastin.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit është ndaluar një (1) person i dyshuar, për shkak të veprës penale “Grabitja”, sipas KPRK-së. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, nga policia e Kosovës kanë njoftuar se viktima është dërguar për trajtim, mjekësor në QKUK.

Ata thanë se kanë reaguar menjëherë pas marrjes së informacionit se një person është futur me dhunë në një veturë.

Të ngjashme