Dy skuadrat që po luftojnë për mbijetesë, Flamurtari dhe Vushtrria, do të përballen sot, me fillim nga ora13:00, në kuadër të xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Kjo ndeshje derbi e mbijetesës, e paraparë të luhej të dielën, si pasojë e kushteve të vështira në fushën e stadiumit të Flamurtarit pas reshjeve të borës, është shtyrë nga Komisioni i Garave.
Në rast të fitores, Flamurtari do të ngrihej në pozitën e tetë dhe Drenica do të binte në vendin e nëntë, pozitë që nuk e siguron mbijetesën në elitën e futbollit kosovar, kurse Vushtrria do të mbetej në vendin e parafundit.
Trajnerë dhe futbollistë të të dyja skuadrave kanë vlerësuar se janë të gatshëm për ta zhvilluar këtë ndeshje dhe për t’i fituar pikët e plota.
Aktualisht Flamurtari zë vendin e nëntë me 22 pikë, kurse Vushtrria dy pozita më poshtë me 15 pikë.