Futbolli italian ka hyrë sërish në kaos pasi është pezulluar Seria B deri në një njoftim të radhës.
Një përballje ligjore e re, se a duhet të jenë 19 skuadra apo 22 pjesëmarrëse në këtë ligë, ka shkaktuar kaosin.
Më herët gjatë muajit, u vendos se liga vazhdon me 19 ekipe, pasi tri skuadra kishin shpallur bankrotimin. Problemi detyroi që Bari, Avellino dhe Cesena të largohen nga liga.
Gjithsesi, ekipet e ligës së tretë, Siena, Novara, Catania, Ternana dhe Pro Vercelli, protestuan duke thënë se e meritojnë ngritjen një ligë më lartë.
Rasti ka zgjatur për disa javë, por u mendua se është vendosur përfundimisht kur Komiteti Olimpik Italian tha se kërkesa e këtyre ekipeve ishte e papranueshme. Por një ankesë e Pro Vercellit ka bërë që Tribunali të pezullojë vendimin e Komitetit Olimpik.
Tani është vendosur që të pezullohen të gjitha ndeshjet në të dy ligat deri në një vendim përfundimtar, që pritet të merret më 9 tetor.