Hakeem Al-Araibi, futbollisti refugjat i burgosur në Tajlandë, është liruar nga burgu pasi Bahrejni të hënën ka marrë një vendim të papritur për të hedhur poshtë rastin e ekstradimit të tij.
Gjykata në Tajlandë ka aprovuar kërkesën për të rrëzuar procedurat e ekstradimit, sipas Chatchom Akapinit, drejtorit të përgjithshëm të punëve të jashtme në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Chatchom ka thënë se Al-Araibi duhet të lirohet tash sa më shpejt të jetë e mundur.
Lajmi ka gëzuar Al-Araibin dhe përkrahësit e tij, që kanë nisur një kampanjë botërore duke bërë thirrje për lirimin e tij. Al-Araibi ka status të refugjatit në Australi.
Al-Araibi, një shtetas i Bahrejnit, ishte arrestuar dhe mbajtur në paraburgim në nëntor derisa po kalonte muajin e mjaltit në Tajlandë. Arrestimi i tij u bë me kërkesë të Qeverisë së Bahrejnit.
Ai ishte dënuar në mungesë në vitin 2014 me dhjetë vjet burgim me akuza për vandalizëm në Bahrejn. Al-Araibi iku në Australi dhe mori statusin e refugjatit në vitin 2017. Ai tash luan për skuadrën gjysmë-profesioniste nga Melbourne, Pascoe Vale.