Një fillim të fuqishëm ka pasur Ylldren Ibrahimaj në elitën e futbollit të Norvegjisë. Në pesë ndeshjet e para ka shënuar dy gola dhe ka dhënë tri asistime, ndërsa Vikingu i kthyer në elitë, ka tri fitore e dy humbje.
Ibrahimaj 23-vjeçar për herë të parë po luan në ligë elitare dhe mediat norvegjeze i kanë kushtuar hapësirë të madhe së fundi, për shkak të fillimit pozitiv. Në një prej shkrimeve të gjata për të, në gazetën “Agderposten”, Ibrahimaj ka thënë se nuk ka dilema se për cilën përfaqësuese do të luajë, nëse arrin të bëhet reprezentues një ditë.
“Kam lindur në Norvegji, por unë kam prejardhje nga Kosova. Prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë për të më dhënë jetë të mirë dhe unë dua të jap diçka në kthim për ta dhe për vendin”, ka thënë Ibrahimaj, për mediat norvegjeze. Kanë nisur edhe komentet në Norvegji se në përfaqësuesen e këtij vendi duhet të shqyrtojnë mundësinë që të ofrojnë Ylldrenin, mesfushorin që ka dëshirë të mbajë topin në këmbë.
Ibrahimaj herët është vlerësuar në Norvegji për potencialin që kishte. Por rrugën drejt ligës elitare nuk e kishte të lehtë. Ka nisur rreth shtatë vjet më parë në kategorinë e katërt të Norvegjisë. Më pas luajti disa vite në kategorinë e tretë e në dy vjetët e kaluar në kategorinë e dytë norvegjeze. Ka luajtur për ekipet, si Arendal e Mjondalen, ndërsa prej verës së vitit të kaluar është te Vikingu, me të cilin u promovua në elitë.