Mund të tingëllojë si ngjarje e zakonshme në futbollin shqiptar, por në fakt ka ndodhur në Maltë, edhe pse ka si protagonist një lojtar nga Shqipëria.
Bëhet fjalë për Ervin Kurtin, ish-portierin e Gudja United në kampionatin maltez, i cili ka paditur klubin me pretendimin se nuk aplikoi për lejen e tij të punës megjithëse i kërkoi të paguante 280 euro për këtë.
Sipas padisë të regjistruar të mërkurën në Gjykatën Civile, Kurti mbërriti në shtetin ishullor më 27 qershor 2015 për t’iu bashkuar Gudjas. Që prej asaj kohe portieri është stërvitur me këtë skuadër, raporton Panorama.
Në momentin që nënshkroi me klubin, atij iu kërkua të paguante 280 euro për aplikimin për lejen e punës. Por sipas lojtarit, leja iu ndërpre për shkak të një dëmtimi të rëndë në kokë të pësuar në korrik 2016 gjatë një seance stërvitore dhe ai u detyrua të largohej nga vendi pasi klubi nuk kishte aplikuar për lejen e tij të punës.
Kurti kërkon që klubi t’ia kthejë mbrapsht 280 eurot e paguara, si dhe ta dëmshpërblejë me rrogat mujore për periudhën kur ai ka qenë në ekip.