Shtatë kombet më të pasura të botës të njohura si G7 kanë arritur një marrëveshje historike të shtunën për të mbyllur boshllëqet e taksave ndërkufitare të përdorura nga disa prej kompanive më të mëdha në botë.
G7 tha se do ta mbështesë një normë minimale globale të taksës së korporatës prej të paktën 15 për qind dhe të vendosë masa për t’u siguruar që taksat të paguhen në vendet ku operojnë bizneset, raporton Reuters.
“Pas disa vitesh diskutimesh, ministrat e financave të G7 kanë arritur një marrëveshje historike për të reformuar sistemin global të taksave për ta bërë atë të përshtatshëm për epokën digjitale globale”, u tha gazetarëve Ministri britanik i Financave, Rishi Sunak.