G7: Gjigantët e teknologjisë do fillojnë të tatimohen

Prishtinë | 25 Kor 2019 | 14:28 | Nga Ekonomia Online

Ministrat e financës dhe guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve anëtare të G7 janë pajtuar për të tatimuar gjigantët e teknologjisë si Google, Facebook, Amazon dhe Apple. Ky vendim do të zbatohet në vendet ku këto kompani kanë fitime edhe pse ato nuk janë fizikisht në këto shtete.

Ata vendosën që duhet të ketë një taksë minimale për të dekurajuar vendet që të mos bëjnë konkurrencë ekstreme për të tërhequr biznese dixhitale shumëkombëshe.

Ministri francez, Bruno Le Maire tha se, “vendet anëtare të G7 vendosën për një taksim minimal mbi kompanitë private”, përcjell Telegrafi.

Ata konkretizuan vendosmërinë e tyre për t’i dhënë fund konkurrencës agresive fiskale mes shteteve, për t’i dhënë fund mashtrimeve fiskale dhe optimizimit agresiv nga kompani të caktuara që gjejnë një sërë mënyrash për të shmangur taksat.

G7 gjithashtu paraqiti shqetësimin se monedhat dixhitale si Libra, një ide e Facebook, kanë nevojë për rregullator. Arsyeja sipas G7 është se një valutë e re mund të çekuilibrojë sistemin financiar botëror.

Presidenti i Bundes Bank dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Qeverisës së Bankës Qendrore Evropiane, Jens Weidmann, deklaroi se, “sot ishte fillimi i një bashkëpunimi ndërkombëtar për rregullimin e valutave dixhitale. Ajo që ne synojmë nuk është të shtypim pa i menduar konceptet inovative. Përkundrazi ne jemi të hapur ndaj zhvillimeve teknologjike dhe valutave dixhitale që ofrojnë mundësi për prosperitet ekonomik. Kësisoj nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar, por ka arsye për të qenë vigjilent”.

Qeveritë kanë nisur të shqetësohen se kompanitë e mëdha teknologjike po fusin hundët në zonat që i takojnë qeverisë siç është çështja e monedhave. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme