Si të mos mjaftonte humbja me Sampdorian, te Inter ka dalë në pah edhe një tjetër çështje.
Sulmuesi brazilian i prezantuar me shumë bujë te Inter, Gabriel Barbosa ka reaguar mjaft keq kur ka mësuar që trajneri Pioli nuk do ta aktivizonte as sot.
Gabigol ka goditur me shkelm një shishe uji që ndodhej aty pranë dhe është ulur i nervozuar në stol.
Braziliani u prezantua me shumë bujë te zikaltërit dhe vazhdon të cilësohet si një nga futbollistët më premtues të futbollit botëror.
Pas një fillimi të vështirë me Frank De Boer, Gabigol filloi të aktivizohej në mënyrë të vazhdueshme si zëvendësues nga Pioli, deri kur gjeti golin e parë në Serinë A, ndaj Bolognas, ku i dha edhe tre pikët ekipit.
Që nga ajo ndeshje, braziliani ka përfunduar në stol dhe nuk është aktivizuar për asnjë moment nga trajneri italian, madje as në ndeshje si ajo ndaj Atalantës, ku e mbyllën pjesën e parë me rezultatin 5-1 dhe nuk rrezikonin asgjë.
Pioli ka preferuar t’i japë më shumë minuta një 34 vjeçari si Rodrigo Palacio, sesa të integrojë talentin brazilian dhe nëse trajneri do të konfirmohet edhe për një sezon në krye të Interit, huazimi i Gabigol duket i pashmangshëm.
Zikaltërit e kanë treguar në vijimësi, se nuk ditë të punojnë mirë me talentet dhe për këtë mjafton të përmenden lojtarë si Andrea Pirlo, Philippe Coutinho e shumë të tjerë të cilët shpërthyen pikërisht pasi u larguan nga Interi.