Gabriel Escobar: ShBA nuk po i kërkon Kosovës “kompromis” për territorin dhe sovranitetin, Asociacioni duhet të bëhet

Prishtinë | 28 Jan 2022 | 07:52 | Nga Ekonomia Online

Gabriel Escobar, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, njëherit Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, ka folur në një intervistë ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net duke përcjellur mesazhe të prera që i adresohen Kosovës. Esobar, në këtë intervistë të gjatë dhe të parën për ndonjë medium në Kosovë, foli në veçanti për dialogun Kosovë-Serbi dhe zotimet që priten nga të dyja palët për njëra-tjetrën.

Pak ditë para vizitës së tij të parë në Kosovë, Escobar tha se në udhëtimin e tij në Prishtinë e Beograd do të theksojë se dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të jetë prioritet i të dy vendeve. Kjo pasi, siç thotë ai, status quo-ja po i dëmton të dy vendet.

“Më 2 shkurt do të udhëtoj për në Beograd dhe udhëheqësve në të dy kryeqytetet do t’ua përcjellë të njëjtën porosi: mënyra me e mirë që udhëheqësit e të dy vendeve të përmbushin premtimet para qytetarëve të tyre është duke i dhënë prioritet dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kjo gjendje e tanishme e ngrirë, status quo, nuk po funksionon, siç po e shohim nga eksodi i vazhdueshëm i të rinjve që besojnë se e ardhmja e tyre është diku tjetër. Shpresoj që udhëheqësit në Serbi dhe Kosovë ta kuptojnë rëndësinë e të ecurit përpara, e jo prapa, përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja drejt normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre, që mbetet thelbësor për rrugëtimin e tyre përkatës drejt BE-së”, tha Escobar në intervistën ekskluzive për Reporteri.net.

Tutje Escobar deklaroi se Kosova e Serbia duhet të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara deri më tani.

“Vazhdojmë t’ju bëjmë thirrje si Kosovës, ashtu edhe Serbisë që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet dhe zotimet e dhëna në Bruksel. Një gjë e tillë kërkon fleksibilitet, kreativitet dhe në disa raste, kompromis”, tha Escobar.

I dërguari i Presidentit Biden ka rikonfirmuar se për SHBA-të marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e përqëndruar në njohjen e ndërsjellë.

I pyetur nëse krijimi i Asociacionit ka alternativë, zëvendësndihmës sekretari amerikan Escobar tha se Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë Asociacion.

“Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe (AKS). Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhe nuk do të diktojnë se çka duhet të bëjë ky Asociacion e as cilat duhet të jetë kompetencat e tij; ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës”, tha Escobar.

Tutje Escobar shtoi se ShBA nxisin qeverinë e Kosovës të shqyrtojë modelet e shumta për Asociacionit.

“Ka shumë modele që funksionojnë, duke përfshirë modele të shumta që do të lejonin bashkërenditje më të mirë lokale pa një nivel tjetër të qeverisë ose pushtetit ekzekutiv. E nxisim qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë me kujdes këto modele”, deklaroi Escobar.

Ndër të tjerash, në këtë intervistë ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net, Escobar foli edhe për ikjen e të rinjve të Kosovës nga vendi. Sipas tij, ka ardhur koha që këtyre të rinjve t’u jepet mundësia për ta përdorur zgjuarsinë për vendin e tyre.

“…më lejoni të jem i qartë – askush nuk po i kërkon Kosovës që të vëjë në ‘kompromis’ sovranitetin apo integritetin e saj territorial; ato çështje janë vendosur në mënyrë të qartë. Megjithëkëtë, është me rëndësi të përmbyllen këto negociata me marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim [të marrëdhënieve] të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Të rinjtë e rajonit të Ballkanit Perëndimor po largohen nga vendet e tyre për të gjetur punë dhe mundësi diku tjetër dhe po e bëjnë këtë thjeshtë për arsye se nuk kanë mundësi të mjaftueshme në vendin e tyre. Ka ardhur koha që këtyre të rinjve t’ju jepet mundësia për ta përdorur energjinë dhe zgjuarsinë e tyre për të ndërtuar të ardhmen dhe për të përparuar në vendet e tyre. I nxisim udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës të gjejnë zgjidhje proaktive, e cila i vë në vend të parë qytetarët e tyyre dhe të kultivojnë integrimin dhe prosperitetin ekonomik evropiann duke pasur këtë gjë në mendje”, ka shtuar Escobar.

Gabriel Escobar të hënën e kësaj jave, së bashku me të Dërguarin e BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, vizitojnë Kosovën. Pas qëndrimit në Kosovë, dyshja do të shkojnë për vizitë edhe në Serbi.

I dërguari i posaçëm i Presidentit Biden, Gabriel Escobar, në intervistën ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net, ka folur edhe rreth qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth mundësisë së shkëmbimit të territoreve si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nëse mund të rikthehet ky opsion, Escobar në intervistën e tij të parë për një media në Kosovës, për Reporteri.net, ka deklaruar se ShBA nuk imponojnë kushtet dhe parametrat e marrëveshjes përfundimtare.

“Çdo marrëveshje përfundimtare dhe elementet e saj duhet të jenë të pranueshme nga populli i Kosovës dhe nga ai i Serbisë. Shtetet e Bashkuara kurrë nuk ua kanë dhe kurrë nuk do t’ua imponojnë kushtet dhe parametrat as Kosovës e as Serbisë. Të dyja, Kosova dhe Serbia, janë shtete sovrane”, tha Escobar.

Të ngjashme