Sulmuesi kosovar nuk e ka treguar veten sa duhet në Lazio dhe një rikthim në Turqi nuk është i pamundur
Vedat Muriqi nuk ka arritur të shkëlqejë asnjëherë në fanellën e Lazios.
Sulmuesi kosovar ishte transferuar në ekipin italian verën e kaluar nga Fenerbahçe për 18 milionë euro.
Ai konsiderohej si një transferim i madh për “Biancocelesti”.
Mirëpo, problemet fizike, koronavirusi dhe mungesa e ambientimit, kanë bërë qe 26 vjeçari të mbetet nën hije.
Madje, në 11 ndeshje të zhvilluara deri tash, me afro 400 minuta, Muriqi nuk e ka gjetur ende golin në fanellën e Lazios.
Për këtë, tashmë kanë nisur spekulimet për një largim të tij të mundshëm nga kryeqyteti italian.
Mediumi turk, “Fotosport.com” shkruan se Galatasaray ka shprehur interesim për futbollistin prizrenas, përcjell Gazeta Express.
Madje, zyrtarët e klubit turk e kanë ndërmend që në ditët në vazhdim ta marrin rrugën drejt Romës për ta bindur Lazion që t’ua huazojë ose t’ua shesë përfaqësuesin kosovar qysh këtë muaj.
Muriqi kishte luajtur me sukses në futbollin turk, me Rizesporin dhe Fenerbahçen.
E ditë më parë, drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare i ka thënë Gazetës Express se Muriqi nuk do të largohet nga “Olimpico” këtë dimër. /Gazeta Express