Prishtinë, 13 dhjetor – Fiks 14 ekspozita janë paraparë në programin e vitit 2019 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Prej tyre 12 janë miratuar nga Këshilli Drejtues, ndërsa dy të tjera janë ekspozita grupore, tashmë tradicionale për GKK-në. Por nëse do të arrihet që të konkretizohen të gjitha ato që janë planifikuar, varet nga buxheti që ky institucion do të ketë në dispozicion.
Vitin që po e lëmë pas ishin planifikuar edhe disa ekspozita ndërrajonale, por që për shkak të buxhetit ato është dashur të shtyhen për programin e vitit të ardhshëm.
Drejtoresha e GKK-së, Arta Agani, të mërkurën, në ditën kur është publikuar programi, ka paralajmëruar se në qoftë se nuk ka rritje të buxhetit disa prej ekspozitave të parapara nuk do të realizohen, ose edhe do të shtyhen. Këtë vit ky institucion pati në dispozicion 163 mijë e 500 euro. Por sa do të jetë buxheti për vitin e ardhshëm ende nuk dihet.
“Nuk e dimë ende buxhetin, por shpresojmë se do të rritet, sepse nuk do të jetë e mundur të realizohen. Të paktën jo mirë”, ka thënë Agani, teksa ka shtuar se qëllimi kryesor i tyre është që të sjellin më të mirën në GKK dhe vlerat më të larta.
“Siç e kam cekur edhe më herët, qëllimi kryesor është që të ketë ekselencë në art, do të thotë vlera të larta. Bashkëpunimet ndërrajonale janë vazhdimësi. Për shembull, shkëmbimin e ekspozitave me Maqedoninë dhe Bosnjën e kemi trashëguar prej vitit 2018, nuk kemi pasur mundësi ta realizonim, sepse buxheti nuk ka premtuar, si dhe programi ka qenë shumë i ngjeshur. Po ashtu, nëse sivjet nuk rritet buxheti, mund të ndodhë që disa ekspozita prapë shtyhen”, ka thënë ajo.