“Game Over, Corruption”: ZeroC dhe Rogue3 fitues

Prishtinë | 27 Dhj 2016 | 16:54 | Nga

Përfundon me sukses edicioni i parë i “Game Over, Corruption” – garës për dy lojët më inovative që do të ndihmojnë në përpjekjet kundër korrupsionit. Në sallën e mbushur përplot të teatrit ODA, me entuziastët e lojërave patën rastin të dëgjojnë dhe mësojnë nga tre folësit mbi përvojën e tyre në zhvillimin e lojërave dhe të shohin prezentimet e shtatë ekipeve më të mira.

Në fund të garës, dy ekipet që prezentuan idetë më të mira dhe më bindëse ishin ZeroC dhe Rogue3 që edhe u shpallën fituese nga paneli vlerësues. Ekipeve u takojnë nga 4,000 EUR secilës për të vazhduar me zhvillimin e lojërave të propozuara, të cilat priten të lansohen në fillim të marsit 2017.

“Përshtypjet rreth organizimit kanë qenë shumë pozitive dhe për këtë arsye ne tanimë kemi filluar të mendojmë për edicionin e dytë të Game Over, Corruption. Me rëndësi është fakti që të premten mbrëma ishim në mesin e shumë talentëve të rinjë, që dëshmuan përsëri se janë kreativ dhe kanë aftësi të transformojnë imagjinatën e tyne në diçka që do të përdoret për të mirën e të gjithëve” – tha njëri nga anëtarët e ekipit të projektit anti-korrupsion të UNDP-së, pas përfundimit të ngjarjes.

“Game Over, Corruption” është iniciativë e projekti anti-korrupsion të UNDP-së (SAEK) dhe organizohet në bashkëpunim me “Fondacionin IPKO”. Projekti Anti-Korrupsion i UNDP-se mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC) dhe Agjencia Daneze për Zhvillim Ndërkombëtar (DANIDA). Kjo garë kishte për qëllim që përmes lojërave në mobil, të përçohet mesazhi anti-korrupsion dhe në të njëjtën kohë të angazhojë të rinjtë dhe t’i vetëdijësojë mbi rreziqet e korrupsionit.

Ekipet fituese kishin këtë përbërje: ZeroC (Rinor Maloku, Albiona Hoti, Taulant Mehmeti, Talat Haxhimehmeti) dhe Rogue3 (Drilon Rexhepi, Lisian Bajri, Arlind Hajredinaj).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme