Instituti për Studime të Avancuara (GAP) ka prezantuar raportin me temën, “Ngecjet e komunave në funksionalizimin e kiosqeve elektronike për ofrimin e shërbimeve administrative”, raporton EkonomiaOnline.
Agron Demi nga ky institut tha se instalimi i këtyre kiosqeve ndihmon qytetarët të nxjerrin dokumente përmes formës digjitale, mirëpo ato nuk po mirëmbahen dhe se nuk po shfrytëzohen si duhen. Madje disa prej tyre janë edhe jashtë funksionit.
“Sot do të prezantojmë një raport i cili prek problemet e administratës publike , ku administrata publike nuk ka qenë pikë synim i qeverisë. Çdo vit shpenzohen 10 milionë euro për blerje të mjeteve teknike, por ata nuk po shfrytëzohen si duhet. Qëllimi i kryesor është si me e lehtësua shërbimin e qytetarëve sidomos përmes formës digjitale. Secili prej nesh që aplikon për letërnjoftim kërkohet edhe certifikate e lindjes, dhe këtë ligjit e anashkalon.
Ai tha se në komunën e Prizrenit ka pasur raste kur qytetarët kanë futur monedhat në kiosqe elektronike, por qytetarët nuk kanë marr shërbimin
“Janë diku rreth 300 dhe 400 qytetarë të cilët nuk kanë marrë shërbimin prej kiosqeve elektronike. Komunat janë ankuar në teknologjinë e dobët, por edhe qytetarët në komunën e Gjilanit dhe Prizrenit janë ankuar sepse ata nuk e kanë marr shërbimin përkundër pagesës”, tha ai.
Hulumtues i lartë në këtë institut, Bekim Salihu tha se gjendja më alarmante është në Prizren ku janë 8 kioska dhe vetëm 2 prej tyre funksionojnë.
“Nga rreth 600 shërbime administrative që ofrohen nga të gjitha institucionet shtetërore rreth 150 prej tyre jepen nga komunat. Në korrik 2019 nga 42 kiosqet e instaluara 22 prej tyre kanë qenë jo funksionale në momentin e testimit. Komunat në vitin 2018 kanë lëshuar 1.6 milionë dokumente. Trendi i njëjtë është edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 ku në total janë lëshuar 55.923 dokumente të gjendjes civile nga kiosqet elektronike. Komuna me numrin me të madhe kiosqeve është Prizreni ku i ka 8 dhe vetëm 2 janë funksionale
Po ashtu u bë e ditur se për të gjitha kiosqet elektronike në 20 komuna janë shpenzuar mbi 360 mijë euro, pa llogaritur edhe mirëmbajtjen.
Ndërsa në komunën e Prishtinë, u tha se janë të nevojshem edhe katër kiosqe tjera.