Në javën shkoi nëpër shkollat tona, fillore e të mesme, u mbajt e ashtuquajtura Gara e Diturisë! Ky provim, që më së paku i përngjante një gare, më parë se të testonte dituritë e nxënësve shpërfaqi marrëzinë e zyrtarëve të cilët e organizuan atë!
U raportua se në disa shkolla nuk kanë mundur t’i fusin fare nxënësit e tyre në këtë të ashtuquajtur garë për shkak të mungesës së materialit, sikundër që u raportua po ashtu edhe për gabime të shumta në pyetjet përkatësisht detyrat e këtij provimi “garues”! Këso gabimesh kishin vërejtur arsimtarët të cilët mbikëqyrnin nxënësit në kohën e provimit por këso gabimesh kishin vërejtur po ashtu dhe nxënësit më të talentuar e më të përgatitur gjatë plotësimit të tij.
Gabime pati edhe në përzgjedhjen e lëndëve për drejtime të caktuara profesionale. Në të vërtetë aty nuk mund të flitej fare për farë përzgjedhjeje. Në programin e arsimit profesional, në shumë degë, asnjë lëndë e përfshirë nuk mund të quhej profesionale. Lëndët si Gjuha Shqipe, Gjuha Angleze, Matematika, Fizika, Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit, Edukata Qytetare, e të tjera, janë lëndë të përgjithshme për degët profesionale si Ekonomia, Juridiku, Makineria, Ndërtimtaria, Elektroteknika, Gjeodezia, e kështu me radhë. Shumë tregues ishte fakti se në degën e juridikut nuk ishte përfshirë lënda Edukatë Qytetare, ndërsa e njëjta ishte e përshirë në degën e Makinerisë!
Arsimtari i gjorë kujdestar, dora vetë dhe i vetëm, do e mbikëqyrte klasën e vet! Dhe ashtu, vetë dhe i vetëm, do i verifikoj rezultatet e arritura! Askush nuk do ta konfirmoj korrektësinë e tij!
Mbi 100 ekspertë, u tha, të jenë angazhuar në hartimin e këtij provimi, përkatësisht në përlarjen e 1 milion eurove! Ndoshta më e drejtë do ishte të thuhej, Gara e makutërisë!
(Autori është anëtar i Vetëvendosjes)