Gara: Në Rahovec janë gjetur mbetje mortore, dyshohet për disa viktima të luftës

Prishtinë | 26 Mar 2026 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Gjatë gërmimeve të fundit në lokacionin Përzhinë në Rahovec janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se i përkasin së paku katër viktimave të luftës, ndërsa ekziston mundësia që në këtë zonë të jenë edhe mbetjet e personave të tjerë ende të zhdukur, raporton Ekonomia Online.

Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për media, Kushtrim Gara, Përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, i cili tha se vetëm gjatë ditëve të fundit është hasur në mbetje mortore që sipas vlerësimeve fillestare i përkasin të paktën një individi, ndërsa numri i saktë do të konfirmohet pas ekzaminimeve mjeko-ligjore.

Ai bëri të ditur se në këtë lokacion gërmimet kanë nisur që më herët dhe janë intensifikuar pas rikthimit në dhjetor të vitit 2025, kur fillimisht janë zhvarrosur mbetje të së paku dy viktimave, ndërsa gjatë javëve të fundit janë gjetur edhe mbetje të tjera që e çojnë numrin minimal në katër.

“Siç tanimë është bërë e ditur edhe nga kolegët, nga Drejtoria e Policisë për hetimin e krimeve të luftës, edhe dje gjatë procesit të gërmimeve vlerësuese që janë duke u realizuar gjatë këtyre javëve në lokacionin tanimë të shënjuara, të shënjuar në qytetin e Rahovecit, përkatësisht në zonën në dalje të qytetit të Rahovecit, lokalitet i njohur si Përzhina. Edhe dje pra është hasur dhe janë gjetur mbetje mortore që sipas ekspertëve tanë përfaqësohen ose i përkasin minimumi një personi si një individi. Megjithatë siç e kam thënë gjithmonë, do të presim pasi të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore për të konfirmuar numrin e saktë të individëve, viktimave të zhvarrosura”.

“Në këtë lokacion do të vazhdojmë të jemi të angazhuar edhe ditët në vijim, meqë siç kemi prezantuar, është një hapësirë tanimë e shënjuar, e cila po trajtohet në vazhdimësi këto 27 vite, në kuptimin që qysh në vitet e para të pasluftës, muajt e parë të pasluftës nga ekipet mjeko-ligjore gjermane, pastaj diku në vitin 2002 dhe 2007 nga ekipet mjeko-ligjore ndërkombëtare në kuadër të misionit të UNMIK-ut dhe së fundmi sigurisht ne si Komision Qeveritar bashkë me kolegët e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe kolegët e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, jemi rikthyer në këtë lokacion. Me shumë bazë të të gjitha të dhënave që kemi siguruar, të shqyrtuara ose të analizuara në mënyrë të hollësishme, kemi konkluduar që në këtë zonë, në këtë lokacion vazhdojnë të jenë ose mund të jenë mbetje mortore, trupa të të tetë viktimave të luftës, ose të paktën pesë nga të cilët vazhdojnë të jenë në listën e personave të zhdukur. Siç jeni në dijeni, ne në lokacion jemi rikthyer në muajin dhjetor të vitit 2025”, tha ai.

Ai shtoi se lokacioni në Rahovec është trajtuar ndër vite nga ekipe të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare dhe se bazuar në të dhënat e analizuara, dyshohet se aty mund të gjenden mbetjet e deri në tetë viktimave të luftës, prej të cilëve të paktën pesë ende figurojnë në listën e personave të zhdukur.

“Gjatë gërmimeve të realizuara në atë kohë, pra gjatë dhjetorit të muajit, vitit 2025, janë hasur dhe gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore së minimumi po them dy individëve ose dy viktima të luftës dhe disa pjesë kockore. Po ashtu gjatë rikthimit me rastin pse, për shkak se të kushteve të motit dhe domosdoshmërisht për të bërë një shqyrtim të hollësishëm të informatave plotësuese, gërmimet janë ndërprerë përkohësisht gjatë dhjetorit të vitit 2025 dhe në momentin e përmirësimit të kushteve të motit ne jemi rikthyer në këtë lokacion dhe e kemi trajtuar si lokacion me shumë prioritet, pas disa rasteve që kemi pasur në kuadër të këtij procesi që po e njohim si proces për konfirmimin e identitetit ose keqidentifikimeve të mundshme, pra pas disa lokacioneve të tjera, ne jemi rikthyer gjatë këtyre javëve në këtë lokacion. Dhe gjatë gërmimeve që janë duke u realizuar gjatë këtyre javëve, po ashtu tanimë, në bazë të të dhënave që kemi prezantuar në vazhdimësi, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore po ashtu të dy individëve dhe disa pjesë kockore, që realisht i bie që po flasim për minimumi së paku katër individë, katër viktima të luftës. Megjithatë prapë të dhënat për numrin e saktë të individëve, të viktimave, personave të zhvarrosur dhe identitetin e tyre do ta themi, përcaktojmë ose prezantojmë vetëm pasi të përfundojnë të gjitha ekzaminimet, në kuptimin edhe identifikimet përmes analizës shkencore të ADN-së”, tha ai.

Sipas tij, ky lokacion mbetet një ndër prioritetet kryesore të institucioneve, ndërsa paralelisht janë identifikuar edhe disa zona të tjera ku pritet të zhvillohen gërmime në javët në vijim.

Gara bëri të ditur se “mund të jenë deri në 10 lokacione që do të jenë pjesë e agjendës së gërmimeve”, duke theksuar se çdo informacion trajtohet me prioritet të lartë, sidomos ato që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë.

“Lokacioni me shumë prioritet që po e trajtojmë siç e kemi prezantuar qysh në fund të vitit të kaluar është lokacioni në fjalë, pra lokacioni në Rahovec. Përfshirë diku të paktën edhe tre lokacione të tjera të cilat i kemi trajtuar, adresuar në kuadër të këtij procesi që prapë po e quajmë si proces në vazhdimësi të konfirmimit të identitetit ose rasteve të adresimit të keqidentifikimeve të mundshme. Bashkë me kolegët e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, bashkë me kolegët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë në këtë rast po e them Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, me të dhënat nga arkivat ndërkombëtare, ne kemi edhe një sërë lokacionesh, që numri mund të jetë deri në 10 lokacione, të cilat do të jenë pjesë e agjendës për javët në vijim”, tha ai.

Ai vlerësoi se sfidë kryesore mbetet mungesa e informacioneve të besueshme, si dhe qasja e kufizuar në lokacionet që ndodhen në territorin e Serbisë.

“Megjithatë, prapë po flas vetëm për të dhëna kushtimisht po them minimale, meqë në vazhdimësi si institucione, si komision qeveritar, bashkë edhe me kolegët e policisë, por edhe me kolegët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, po bëjmë përpjekje të adresojmë ose ta sfidojmë po them, këtë sfidën me të cilën po përballemi, që është mungesa e informacioneve të besueshme. Që rrjedhimisht i bie që çdo informatë që e pranojmë, në mënyrë të veçantë në këtë rast nga partnerët ndërkombëtarë, e trajtojmë dhe adresojmë me shumë prioritet. Megjithatë shqetësuese, sfiduese, siç e kemi thënë edhe më parë, mbesin lokacionet në territorin e Serbisë dhe jo vetëm në kuptimin e mungesës së datave për të vazhduar gërmimet në lokacione tanimë të shënjuara, apo për të filluar lokacionet ose gërmimet në lokacione ende të pa iniciuara, por edhe në kuptimin e mungesës së ndarjes së informatave që do të duhej të vinin nga institucionet ose nga arkivat e institucioneve të Beogradit. Megjithatë edhe gjatë vitit 2026, ashtu siç vitet paraprake, siç kemi vepruar në vitet paraprake, Republika e Kosovës, Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës do të vazhdojë të mbetet si shembull në rajon dhe më gjerë për trajtimin dhe adresimin e çdo informate që mund të kontribuojë në cilindo rast të personave të zhdukur. Vitin e kaluar për shembull kemi pasur 32 lokacione, ndërsa gjatë këtyre 27 viteve kemi pasur më shumë se 2700 lokacione në territorin e Republikës së Kosovës, që i bie pa dashur asnjëherë procesin me e interpretuar në terma statistikor, i bie çdo 4 kilometra katrorë brenda territorit të Republikës së Kosovës ne kemi pasur një lokacion që e kemi trajtuar në kuptimin e adresimit ose vlerësimit ose gërmimeve vlerësuese. Pra rrjedhimisht edhe gjatë vitit 2026 dhe vitet në vijim, ne do të mbesim shembull në rajon dhe më gjerë për adresimin dhe trajtimin e çdo informate që mund të kontribuojë në cilëndo, në zgjidhjen e cilësdo rast të personave të zhdukur”, tha ai./Ekonomia Online

Të ngjashme