Gara në Ujman, Gërvalla: Vendosmëria e Kosovës për rend dhe ligj në jug e në veri është forca jonë më e madhe

Prishtinë | 27 Kor 2024 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka shkruar në profilin e saj, për garën e kërcimit të organizuar të premten në Liqenin e Ujmanit në veri të vendit.

Kryediplomatja ka shkruar se të qëndruarit në atë vend dhe shijimi i asaj pjese të Kosovës është ndjenjë që të bën të besosh në vendosmërinë e njerëzve të Kosovës që s’u dorëzuan dhe besuan në Kosovën një dhe të pandashme.

Gërvalla ka thënë se vendosmëria e Kosovës për rend dhe ligj në jug e në veri është forca më e madhe e Qeverisë.

“Vendosmëria e institucioneve tona shtetërore për të vendosur rendin dhe ligjin, për të siguruar një të ardhme të sigurt për secilin qytetar, pa dallim, në jug dhe veri, në lindje dhe perëndim, është forca jonë më e madhe”, ka shkruar Gërvalla.

Postimi i plotë

Në urën e parë të Liqenit të Ujmanit, teksa shënuam Ditën e Rënies së Policëve të Kosovës në Kryerje të Detyrës. Në këtë vend mahnitës, ku liqeni, bjeshkët dhe natyra bashkohen në harmoni të përkryer, gara e kërcimtarëve profesionistë u bë simbol i vendosmërisë së popullit tonë.

Të qëndrosh këtu dhe të shijosh bukurinë e liqenit, emocionet e qytetarëve të shumtë të pranishëm, dhe qëndresën e njerëzve tanë në veri, është një ndjenjë që të bën të besosh në fuqinë e pakrahasueshme të vendosmërisë sonë, qytetarëve tanë që nuk u dorëzuan kurrë, por qëndruan të palëkundur në besimin se Kosova është një dhe e pandarë, e të gjithë qytetarëve të saj, pa asnjë dallim.

Kosova është shtet me demokraci të konsoliduar dhe shembull i respektit dhe tolerancës ndaj komuniteteve pakicë.

Vendosmëria e institucioneve tona shtetërore për të vendosur rendin dhe ligjin, për të siguruar një të ardhme të sigurt për secilin qytetar, pa dallim, në jug dhe veri, në lindje dhe perëndim, është forca jonë më e madhe.

Të ngjashme