Gara për të parin e LDK-së në Prizren ngushtohet në mes Qunit dhe Selmanajt

Prishtinë | 18 Maj 2019 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Hatim Baxhaku nuk do të jetë pjesë e kandidaturës për kryetar të degës së LDK-së në Prizren, pasi është tërhequr nga gara.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor në të gjitha degët e partisë.

“Jam tërhequr thjesht për çështje personale dhe me ju dhënë hapësirë të rinjve.”, tha për “Gazeta e Prizrenit”, ish-deputeti Baxhaku.

Ai ka qenë kandidat për kryetar komune, në zgjedhjet e fundit komunale, në vitin 2017, ndërsa u radhit i treti për nga numri i votave.

I pyetur nëse kjo nënkupton edhe tërheqje nga synimi për kandidim për kryetar të komunës, kirurgu prizrenas ka thënë se aktualisht është shumë herët të deklarohet.

Tashmë edhe deputeti dhe kryetari aktual i degës në Prizren, Haxhi Avdyli është tërhequr nga gara për kryetar dege.

Ndërkaq, deputetët Driton Selmanaj dhe Anton Quni kanë zyrtarizuar kandidaturën e tyre për të parin e Prizrenit.

Me gjasë, në këtë garë duket se nuk do të jenë vetëm ata, pasi kandidatë i mundshëm është edhe Fatmir Memaj, aktualisht drejtor për Urbanizëm. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme