Gara për tjetërsim kombëtar të shqiptarëve

Prishtinë | 13 Pri 2023 | 11:29 | Nga Agron Hoti

Për fatin tonë të keq, asnjëherë në hapësira shqiptare nuk ka pasur konkurrencë më të fortë mes tifozerisë fetare dhe asaj politike. Duke i parë qytetarët vetëm si vota, një pjesë e politikës sonë tanimë ka hyrë në ujëra të rrezikshme antikombëtare, nga ku vështirë se do të mund të dalim. Në vend që shoqëria jonë të orientohej kah dija e shkenca që forcojnë arsyen dhe zhvillimin, ajo tanimë e ka marrë tatëpjetën drejt tifozerisë politike e fetare që forcojnë emocionin dhe fantazinë. Kombinimi i të dyjave e ka humbur zërin e arsyes në pothuaj çdo mes shoqëror.

Ashtu siç feja historikisht është keqpërdorur masivisht për qëllime politike, njëjtë po vazhdon me intensitet të lartë edhe sot. Shembulli më brutal i keqpërdorimit të fesë për qëllime politike është Rusia, e cila përmes Kishës së saj mundohet ta orientojë sipas interesave të saj tërë botën ortodokse dhe jo vetëm. Serbia është rasti më i afërt, Kisha e fuqishme e së cilës është vënë në funksion të projeksioneve imperiale ruse.

Gara brutale mes Vendeve Arabe, Iranit dhe Turqisë për ta shtrirë ndikimin e tyre gjeo-politik përmes fesë nëpër vende me shumicë muslimane – siç jemi ne shqiptarët – nuk është duke zgjedhur mjete. Prapa kësaj gare fshihen interesat ekonomike për zgjerim qasjeje në tregje në një botë gjithnjë e më konkurruese. Janë 5 rajone ku Vendet Arabe, Irani e Turqia janë në garë brutale mes vete për shtrirje të ndikimit: Azia Juglindore (me Indonezinë e shtete tjera që ka prezencë muslimane), Azia Qendrore (me shumicë muslimane), Lindja e Mesme (me shumicë muslimane), Afrika Veriore (me shumicë muslimane) si dhe Ballkani (me hapësirat shqiptare që janë me shumicë muslimane dhe Bosnjen e Hercegovinën pjesën e saj muslimane).

Përderisa Kina po investon masivisht në tërë globin për ta shtrirë kulturën dhe gjuhën e saj në funksion të zgjerimit të tregjeve të saj, në anën tjetër miliona euro janë duke u derdhur nga Vendet Arabe, Irani e Turqia në tjetërsimin tonë kombëtar. Përditshmëria shqiptare çdo vit e më shumë po rrëshqet drejt vendeve arabe, iraniane ose turke. Ky sindrom është duke e prekur me të madhe edhe diasporën tonë për fatin tonë të keq. Përderisa Vendet Arabe, Irani e Turqia po mundohen t’i bëjnë konkurrencë Perëndimit me dije dhe arsim, te ne kanë zgjedhur investimin në fe, kjo për faktin se e kanë të gatshme infrastrukturën tokësore ndaj dhe veç duhet blerë njerëz me ndikim në shoqëri.

E Serbia e Rusia me disa aleatë të tyre evropianë janë duke e mbështetur fuqishëm këtë garë të rrezikshme lindore në thelb antishqiptare. Shumë shpejtë mund të shohim nëpër hapësira shqiptare parti të ndryshme politike me orientim arab, iranian apo turk, prapa të cilave do të qëndrojë dhe paraja ruse e serbe. Zaten veç kemi filluar që rend-ditat lindore t’i bëjmë pjesë të debateve tona të brendshme në thelb përçarëse. Debatet gylenist-erdoganist në toka shqiptare, sulmet e Iranit në infrastrukturën shqiptare, debatat pro dhe kundër shamisë në jetën publike, faljet masive në sheshe e rrugë, ramazanizimi edhe i fëmijëve, etj, sulmet ndaj Skënderbeut, janë vetëm disa nga simptomat e rrezikshme që për synim kanë tjetërsimin tonë kombëtar, pra që fenë ta lartësojnë para kombit.

Fatkeqësisht numri i shqiptarëve që shkuan në ISIS ishte ndër më të lartit në Evropë, krahasuar me madhësinë e popujve tjerë. Fakti që nëpër sulme terroriste nëpër BE gjenden shpesh shqiptarë, kryesisht të diasporës sonë, e tregon më së miri se kah po rrëshqasim si shoqëri. Nuk duhet të harrojmë se dëbimi i shqiptarëve në Turqi është bërë para syve të evropianëve nën ujdinë serbo-turke, kjo për faktin se na përceptonin për turq. Tjetërsimi jonë kombëtar do ta ketë këtë pasojë. Tjetërsimi jonë kombëtar pashmangshëm që na kthen kah Vendet Arabe, Irani e Turqia dhe nëse vazhdohet më kësi ritme, nuk duhet të befasohemi kur sytë tanë do të jenë tërësisht të drejtuar kah lindja diçka që mezi e pret Serbia, Rusia me disa aleatë të tyre evropianë.A.H.

Të ngjashme