Serbia ka ndërprerë gërmimet në afërsi të Shtavalit në Sijenicë, për të gjetur mbetjet mortore të personave të pagjetur në Kosovë.
Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, tha në Info Magazine në Klan Kosova se rasti i “Shtavalit” mbetet ende i papërfunduar.
Ai theksoi se presin nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare që të sigurojnë informacione shtesë dhe imazhe satelitore për të saktësuar lokacionin se ku mund të gjenden mbetjet mortore të personave të pagjetur nga Kosova.
“Për ne lokacioni i Shtavalit, lokacioni i Sijenicës mbetet rast i papërfunduar. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë informacione,” tha Gara.
“Gërmimet janë ndërprerë nga pala serbe. Ne presim dhe vazhdojmë me kërkesën që institucionet e Serbisë të vëmë më dispozicion informatat nga arkivat e tyre dhe ajo çka është e rëndësishme, ne presim edhe nga komuniteti ndërkombëtar që të sigurojmë informata plotësuese, imazhe plotësuese satelitore, mbi bazën e së cilave ne do të mund të saktësonim lokacionin,” tha ai.