Kushtrim Gara ka bërë të ditur se janë identifikuar tri viktima nga mbetjet mortore të gjetura në tri zona, pas pranimit të raporteve të para të analizave të ADN-së.
Gara ka deklaruar se viktimat e identifikuara janë Idriz Rrecaj, Salim Meziu dhe Adem Beqiri.
“Janë mbetjet mortore në tri zona, për viktimat e grupit të intelektualëve, të rrëmbyerve dhe të zhdukurve me dhunë. Konfirmohet për Idriz Rrecajn, Salim Meziun, Adem Beqirin”, ka deklaruar Gara.
Ai ka treguar se një nga lokacionet ku janë kryer zhvarrime është Jabuka dhe pergjigjet e para te rezultateve te ADN-se jane nga ky lokacion.
“Zhvarrimet në Jabukë kanë qenë përgjigjet e para. Katër deri në gjashtë mostra janë të dërguara nga Jabuka, nga varri masiv”, ka thënë Gara.
Sipas tij, deri më tani janë dërguar gjithsej 29 mostra nga 25 trupa për analiza të ADN-së, ndërsa nëse është e nevojshme, do të dërgohen edhe mostra të tjera.
“Sipas vlerësimeve, janë dërguar 29 mostra nga 23 trupa. Nëse është e nevojshme, do të dërgohen shtesat. Kemi pranuar raportet e para të ADN-së”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.
Gara ka bërë të ditur se procesi i identifikimit do të vazhdojë edhe për mbetjet e tjera mortore, ndërsa mostrat e marra nga lokacionet e tjera do të dërgohen për analiza pas përfundimit të procesit të zhvarrimit.