Gara: Vazhdon qasja politizuese e Serbisë për persona të zhdukur

Prishtinë | 16 Sht 2025 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se po vazhdon qasja politizuese e Serbisë ndaj çështjes së personave të zhdukur.

Ai tha në intervistë për Ekonomia Online se lokacioni Kozhlje të Serbisë, ku dyshohet për varr masiv, është pjesë e agjendës që nga vitet e mëparshme.

“Nuk kemi pasur asnjë veprim konkret në këtë lokacion gjatë vitit 2024, rrjedhimisht është bartur si zotim i Serbisë në vitin 2025 . Dakordimi ishte që gërmimi të fillonte në korrik të këtij viti. Nuk ka filluar gërmimi me arsyetimin e zjarrvënieve dhe zjarrit masiv që përfshiu atë zonë”, tha Gara.

Ai bëri të ditur kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur Andin Hoti ka shprehur shqetësimin te Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në lidhje me zjarret që mund të dëmtojnë lokacionin në Kozhlje.

Gara tha se pas tri javësh erdhi një përgjigje nga pala serbe që tingëllon paradoksale: Serbia vazhdimisht ka pohuar se nuk e di saktë lokacionin dhe tani shpjegoi se zjarri nuk ka përfshirë lokacionin e shënjuar. Ai tha se ndikimi i zjarrit në këtë lokacion do të shihet gjatë gërmimeve që do të kryhen.

“Më 10 shtator jemi kthyer në zonën e Koljshit. Është një prej zonave shumë specifike, shumë rënduese në aspektin emocional, mbi të gjitha për për familjet e personave të zhdukur. Aty është deponi e mbeturinave. Mbi dy dekada janë hedhur mbeturina aty , që cenon deri në këtë masë dinjitetin njerëzor”, tha ai.

Komisioni qeveritar për personat e pagjetur ka vlerësuar se përafërsisht deri në dy javë mund të shkojnë gërmimet në lokacionin Kozhlje të Serbisë, si pjesë e dyshimeve për varre masive.

“Një ekip i Republikës së Kosovës do të përcjellë gërmimet. Ende është herët të flitet për numrin e mundshëm të viktimave apo me cilin rast a cilën masakër ndërlidhen”, tha për Ekonomia Online, Gara.

Të ngjashme