Kosovarët as edhe këtë vit nuk do të kenë të drejtë të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, ndonëse një gjë e tillë politikanët ua kanë premtuar atyre që disa vite me radhe e që sipas tyre vendi shumë shpejtë do të dalë nga izolimi duke pasur të drejtën e udhëtimit në shtete të tjera.
Që nga viti 2012 premtime të tilla se çështja e liberalizmit të vizave është çështje ditësh e javësh po dalin të jenë vetëm fjalë boshe, e që janë bërë në kohë fushatash për përfitime politike.
Ndërkohë, dhënia e afateve kohore nga politikanët kosovarë për vizat është kritikuar nga Bashkimi Evropian duke i cilësuar ato si të ngutshme dhe të pamatura, pasi siç kanë deklaruar ata, nuk bën të jepen data për këtë çështje.
Njohësit e Integrimeve Evropiane duke i komentuar premtimet e tyre për liberalizimin e vizave, thonë se ato nuk mund të vlerësohen ndryshe përveçse deklarata të bëra gjatë fushatave.
Emrush Ujkani, analist i këtyre rrethanave tha për lajmi.net se çdo deklaratë e bërë para disa viteve tregon se ka qenë vetëm për përfitime politike.
“ Çdo deklaratë e cila është bërë në të kaluarën dhe jo vetëm nga viti 2012 por edhe më herët dhe e cila nuk është mbështetur ne fakt nuk mund te vlerësohet ndryshe veç se deklaratë fushatash elektorale”, vlerëson ai.
Ujkani thekson se një gjë e tillë bëhet vetëm në përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me vizat.
“Gjithmonë e kemi thënë se agjenda evropiane duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave është e mbështetur në përmbushjen e kritereve konkrete”, tha ai ndër tjerash.
Të njëjtin mendim ndan edhe njohësi i Integrimeve Evropiane, Avni Mazreku, i cili bën të qartë se këto tema janë përdorur vetëm për përfitim politik.
“Është shumë e qartë se këto janë tema janë përdorur për përfitim politik, ka pasur tendenca për të manipuluar me këtë proces por kjo kurrgjë s’ka të bëjë asgjë me procesin real të liberalizimit të vizave”, u shpreh ai.
Qytetarët e kanë humbur mundësinë që këtë vit të iu hiqen vizat. Madje dyshimet shtohen edhe për vitin tjetër. Kështu tha ish zëvendës ministri për Integrime Evropiane, Ramadan Ilazi javë më parë.
E hiq më larg se këto ditë, edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulrike Lunacek ia humbi shpresën kosovarëve për liberalizim vizash. Ajo sqaroi se as demarkacioni nuk jep garanci se qytetarët e Kosovës do t’i japin fund izolimit. Por që pa ratifikimin e shënjimit të kufirit me Malin e Zi, është e sigurt se heqje vizash nuk do të ketë.(Lajmi.net)