Në Wimbledon feston Garbine Muguruza. 23-vjeçarja spanjollo-venezueliane triumfoi në finalen e grand-slamit londinez për herë të parë në karrierë. Ajo mposhti pas një ndeshjeje të cilën e dominoi nga fillimi e deri në fund, amerikanen Venus Williams.
Williams nuk arriti ta çonte dot në gjashtë numrin e trofeve të fituar në All England Club, duke pësuar humbjen e saj të katër në një finale të Wimbledonit.
Pas suksesit në Roland Garros në 2016-tën, Muguruza bëri të vetin një tjetër turne Slam, duke u hakmarrë në një farë mënyre ndaj veteranes Venus Williams për atë humbje që pësoi në finalen e vitit 2015-të, në Londër nga motra e vogël e familjes Williams, Serena.
Muguruza u bë spanjollja e dytë që fiton në Wimbledon pas Conchita Martinez në 1994-tën ndërkohë që për Venus zhgënjimi është më i madh edhe për faktin se mund të bëhej tenistja më e vjetër që triumfonte në grand-slamin më të rëndësishëm të vitit. Ndeshja nisi në ekulibër total dhe seti i parë ishte shumë i rivalizuar.
Por Muguruza përfitoi nga problemet që kishte në shërbim Venus dhe arriti ta mbylle në favor setin e parë me shifrat 7:5 pasi spanjollja ja doli të fitonte tre game radhazi. Seti i dytë nuk kishte më histori me Williams-in që vetëm gabonte, ndërkohë që Muguruza nuk falte asgjë duke triumfuar 6:0 në vetëm 22 minuta për të bërë të sajin trofeun e Wimbledonit.