Garda para ndërtesës ku gjendet zyra presidenciale në Teheren, ka shtënë me armë zjarri, duke plagosur një person që po mbante një thikë të madhe dhe po tentonte të hynte në ndërtesë, ka raportuar media iraniane.
Sulmuesi është qëlluar në këmbë derisa ka tentuar të kalojë zonën e sigurisë.
Zëvendës shefi i sigurisë, Hamid Reza Goudarzi, është cituar t’i ketë thënë agjencisë së lajmeve, IRNA, se 35 vjeçari është dërguar në spital.
Ende nuk ka informacione për gjendjen e tij apo arsyet pse ka tentuar të hyjë në kompleksin presidencial.
Nuk është bërë e ditur nëse presidenti Hassan Rohani ka qenë në kompleks.
Sipas mediave iraniane, ky person ishte duke mbajtur ose thikë të madhe apo shpatë, dhe kishte të veshur i tëri në të bardha, duke simbolizuar gatishmërinë e tij për të sakrifikuar jetën.
Ndërtesa gjendet në distriktin e Teheranit, së bashku me shumë institucione tjera të qeverisë.