Disa gra të mbledhura në një shtëpi diku në periferi të qytetit dhe një djalë i vogël, që krejt çka i intereson është ta adoptojë një qen, shpalosin një anë të mentalitetit kosovar.
Përplasje gjeneratash e mentalitetesh vënë në pah shumë gjëra, shkruan sot “Koha Ditore”.
Regjisorja kosovare, Lendita Zeqiraj, edhe kësaj radhe ka vendosur që ta sjellë në ekran vetëm një moment të jetës së përditshme. Në këtë rast të një familjeje.
Filmi i saj “Gardhi”, pas triumfit në festivalin e njohur amerikan “Palm Springs” – ku rrëmbeu çmimin si filmi më i mirë i shkurtër duke fituar të drejtën e kualifikimit për çmimin prestigjioz “Oscar” në muajin qershor, ku edhe pati premierën – të shtunën mbrëma u dha edhe për publikun kosovar. “Gardhi” është pjesë e garës “International shorts”, në edicionin e 17-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” .