Garë e ngushtë në zgjedhjet presidenciale turke

Prishtinë | 14 Maj 2023 | 21:25 | Nga Ekonomia Online

Bilborde me portretet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe kundërkandidatit të tij në zgjedhjet presidenciale, Kemal Kilicdaroglu.
Mbështetja e votuesve për presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, ka rënë nën shumicën e kërkuar për të fituar zgjedhjet presidenciale në rundin e parë, teksa numërimi i votave të dielën po shkon drejt fundit. Kjo rrit gjasat që presidenti i ri i shtetit të zgjidhet në rundin e balotazhit të caktuar për 28 maj.

Me pothuajse 91 për qind të votave të numëruara, Erdogan ka fituar 49.9 për qind të votave, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anandolu. Kundërkandidati i tij kryesor, Kemal Kilicdaroglu, ka fituar 44.4 për qind të votave.

Ndërkaq, agjencia Anka, që është e afërt me opozitën, ka raportuar se me 95 për qind të votave të numëruara, Erdogan ka fituar 49 për qind të votave dhe Kilicdaroglu 45 për qind.

Nëse asnjëri kandidat nuk siguron mbi 50 për qind të votave, dy kandidatët më të votuar do të garojnë në balotazh. Autoriteti zgjedhor i Turqisë, Bordi Suprem Zgjedhor, tha se do t’u ofrojë “menjëherë” partive politike rezultatet, por nuk do t’i bëjë publike këto rezultate derisa të mos ketë përfunduar numërimi i votave, raporton REL.

Më herët gjatë të dielës, Anadolu dhe Anka ofruan rezultate të ndryshme sa i përket zgjedhjeve presidenciale të së dielës, me median shtetërore që la të kuptohet se Erdogan do të fitojë në rund të parë, por angjencia private e lajmeve tha se gara do të shkojë në balotazh.

Partitë opozitare akuzuan Anadolun se po manipulon rezultatin, duke insistuar se kandidati i tyre Kilicdaroglu është në epërsi.

Më 14 maj, Turqia përveç zgjedhjeve presidenciale, mbajti edhe ato parlamentare. Këto zgjedhje po konsiderohen si votimet më të rëndësishme në historinë moderne 100-vjeçare të shtetit.

Kjo, pasi votimet e 14 majit ose mund ta rrëzojnë nga pushteti presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe t’i japin fund rrugës gjithnjë e më autoritare të Qeverisë së tij, ose do t’i mundësojnë që të hyjë në dekadën e tretë në pushtet.

Këto zgjedhje jo vetëm që do të përcaktojnë se kush do ta udhëheqë Turqinë – shtetin anëtar të NATO-s me 85 milionë banorë – por edhe si do të udhëhiqet shteti, cilin drejtim do të marrë ekonomia e cila është goditur nga kriza e kostos së jetesës, dhe do të formësojë politikën e jashtme.

Një grua kalon pranë posterëve të presidentit aktual, Recep Tayyip Erdogan, dhe kundërkandidatit të tij, Kemal Kilicdaroglu. Sanliurfa, 28 prill 2023.
LEXONI EDHE KËTË:
Zgjedhjet që mund të ndryshojnë drejtimin e Turqisë
Në garë për president, përveç Erdoganit dhe Kilicdaroglut – që është kandidat i aleancës opozitare të përbërë nga gjashtë parti – ishte edhe ultra-nacionalisti Sinan Ogan, ndërkaq ish-bashkëpartiaku i Kilicdaroglut nga partia e qendrës së majtë, Muharrem Ince, u tërhoq nga gara disa ditë para votimeve.

Pas votimit, presidenti Erdogan shprehu bindjen se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë “i mirë për të ardhmen e shtetit”, por nuk u deklarua nëse mendon se do të fitojë.

“Do Zoti që pas numërimit të votave mbrëmjen e sotme, rezultati të jetë i mirë për të ardhmen e shtetit tonë, për demokracinë turke”, tha ai.

Ndërkaq, Kilicdarogu u zotua se do të rivendosë demokracinë.

“Të gjithëve na kishte munguar demokracia”, tha ai për gazetarët. “Do ta shihni, do Zoti, pranvera do të vijë për këtë shtet”, shtoi Kilicdaroglu.

Votuesit në Turqi po ashtu votuan për përbërjen e re të Parlamentit prej 600 ulësesh. Gara për Parlament pritet të jetë mes koalicionit Aleanca e Popullit që përbëhet nga partia konservatore e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe parti të tjera nacionaliste, dhe aleancës opozitare të Kicidaroglut, Aleanca Kombëtare. Në krahun opozitar bën pjesë partia sekulariste, Partia Popullore Republikane (CHP), që ishte krijuar nga themeluesi i Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk.

Vendvotimet janë hapur në orën 08:00 dhe janë mbyllur në orën 17:00, sipas kohës lokale. Votimet janë monitoruar nga një mision i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ky mision tha se do të publikojë të hënën deklaratën lidhur me gjetjet preliminare sa i përket zgjedhjeve.

Në Dijarbakir, qytet të banuar kryesisht me kurdë që u godit nga tërmetet shkatërruese të shkurtit, disa banorë kanë thënë më herët gjatë të dielës se do të votonin për opozitën dhe jo për Erdoganin.

“Nevojitet një ndryshim për shtetin tonë”, tha Nuri Can, 26 vjeç, i cili përmendi krizën ekonomike si një prej arsyeve që ka zgjedhur që të votojë për Kilicdaroglun.

Por, Hayati Arslan, 51 vjeç, deklaroi se vazhdon të mbështesë Erdoganin dhe partinë e tij.

“Situata ekonomike e shtetit nuk është e mirë, por unë ende besoj se Erdogan mund ta rregullojë gjendjen. Prestigji i Turqisë jashtë ka arritur në një pikë shumë të mirë me Erdoganin dhe unë dua që kjo të vazhdojë”, tha ai, raporton Reuters.

Shumë nga provincat që u goditën nga tërmetet, që lanë të vrarë mbi 50.000 persona, kanë shprehur zemërim lidhur me përgjigjen e Qeverisë.

Votuesit kurdë, që janë diku 15-20 për qind e elektoratit, është paraparë se kanë rol kyç në zgjedhje dhe ka të ngjarë që aleanca opozitare nuk do të mund të fitojë e vetme shumicën parlamentare.

Të ngjashme