Partitë politike po bëjnë një garë të pandershme për të fituar pozitën e presidentit, e cila i takon popullit të vendos se kush duhet ta udhëheqë vendin, kështu thotë njohësi i çështjeve politike në vend Ramush Tahiri në një intervistë për Ekonomia Online.
Tutje, analisti Tahiri tha se nëse presidenti zgjidhet nga partive politike të koalicionit qeverisës në Kuvend, atëherë do të ketë një figurë e cila nuk është e fortë dhe jounifikuese.
“Partitë politike po bëjnë një garë politike të pandershme për të fituar pozitën e presidentit. Po i shfrytëzojnë kalkulimet dhe koalicionet për ta fituar këtë pozitë pa meritë. Pozita e presidentit i takon popullit dhe populli është ai që vendos dhe duhet që të bëhet amandamentimi kushtetues dhe që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli”.
“Ka ende afat që kjo të arrihet. Përndryshe nëse presidenti zgjidhet ndërmjet partive politike të koalicionit qeverisës në Kuvend atëherë do të kishim një figurë e cila nuk është e fortë dhe jounifikuese, por partiake dhe do të kishim një figurë që ndikohet nga liderët e partive politike”, u shpreh Tahiri.
Sipas tij, Kosova ka shumë vështirësi, andaj pozita e presidentit mund të jetë ndihmesë në pajtimin kombëtar, por edhe në paraqitjen ndërkombëtare.
“Kandidaturat janë joserioze dhe për mendimin tim janë të paturpshme sepse njerëzit ofrojnë vetveten për president dhe jo programin. Kosova ka shumë vështirësi”.
“Pozita e presidentit është unifikuese dhe mund të jetë ndihmesë në pajtimin kombëtar tonin por edhe në paraqitjen tonë ndërkombëtare e cila ka rënë. Dhe në ngritjen e vetëbesimit të popullit që të mos kërkohet me u largu nga Kosova po të ketë shpresë që ne mund të ndërtojmë një shtet demokratik të lirë”.
Mes tjerash, Tahiri theksoi se nëse do të mundësohej zgjedhja e presidentit nga popullin, atëherë autoriteti i Albin Kurtit, do t’ia mundësonte atij të marrë këtë pozitë, raporton EO.
“Nëse mbahen zgjedhjet drejtpërdrejtë nga populli secili kandidat i moshës mbi 35 vjeçare dhe që është shtetas i Kosovës dhe që nuk ka pengesë ligjore konkurron. Autoriteti i personaliteteve varet nga veprimtaria e deritashme”.
“Presidenti aktual Thaçi është deklaruar se dëshiron të votohet edhe njëherë nga populli, por duket që autoriteti i Albin Kurtit në këtë moment është më i madhi në popull dhe në zgjedhjet e drejtpërdrejta fitorja pa paragjykim do të ishte e Albin Kurtit”.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë bekimin e partisë për të kandiduar për të parin e vendit. Edhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj është propozuar për këtë pozitë.
Përderisa edhe pse ende nuk kanë bërë të ditur ndonjë kandidaturë në LDK thonë se emri i presidentit kalon nga zyrat e kësaj partie, për çka edhe ka pasur debate ndërmjet partnerëve të koalicionit.